Izraeli synon marrëdhënie diplomatike me Sirinë dhe Libanin

30 Qershor 2025 | 16:23

Izraeli është i interesuar të vendosë formalisht marrëdhënie diplomatike me armiqtë e vet të vjetër, Sirinë dhe Libanin, por statusi i Rrafshnaltës së Golanit është i panegociueshëm, tha të hënën ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar.

Udhëheqësit izraelitë argumentojnë se, meqë rivali i tyre, Irani, është dobësuar nga lufta 12-ditore e këtij muaji, vende të tjera të rajonit kanë tani mundësi për të lidhur marrëdhënie me Izraelin.

Lindja e Mesme është ngufatur nga gati dy vjet luftë në Rripin e Gazës, gjatë së cilës Izraeli ka kryer gjithashtu sulme ajrore dhe operacione tokësore në Liban kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani, dhe nga rënia e ish-udhëheqësit sirian dhe aleatit të Iranit, Bashar al-Asad.

Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Maroku u bënë shtetet e para arabe që lidhën marrëdhënie me Izraelin që nga Jordania në vitin 1994 dhe Egjipti në vitin 1979.

Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin ishin tejet jopopullore në botën arabe.

“Ne jemi të interesuar t’i shtojmë vendet si Siria dhe Libani, fqinjët tanë, në rrethin e paqes dhe normalizimit, duke ruajtur interesat jetike dhe të sigurisë së Izraelit”, tha Saar në një konferencë për shtyp në Jerusalem.

“Golani do të mbetet pjesë e Shtetit të Izraelit”, shtoi ai.

Izraeli e aneksoi Rrafshnaltën e Golanit në vitin 1981, pasi e kishte pushtuar atë nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditore të vitit 1967.

Derisa shumica e bashkësisë ndërkombëtare e konsideron Golanin si tokë të pushtuar siriane, presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu sovranitetin izraelit mbi të gjatë mandatit të tij të parë.

Pas rrëzimit të Assadit, forcat izraelite u zhvendosën më thellë në territorin sirian.

Një zyrtar i lartë sirian, që foli në kushte anonimiteti, tha se Siria nuk do të heqë kurrë dorë nga Rrafshnalta e Golanit, duke e përshkruar atë si pjesë përbërëse të territorit sirian.

Ai shtoi gjithashtu se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin duhet të jenë pjesë e Nismës Arabe për Paqe nga viti 2002, dhe jo të ndjekin një rrugë të veçantë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Liberia sekuestron rreth katër ton kokainë me vlerë 317 milionë dollarë

Autoritetet në Liberi kanë sekuestruar gati katër ton kokainë me një vlerë të përllogaritur prej rreth 317 milionë dollarësh, në atë që konsiderohet një nga...
18:59 | 23/07/2026

Zjarret përfshijnë Evropën, mijëra të evakuuar në Francë, Itali dhe Spanjë

Zjarret masive vijojnë të përhapen në disa vende të Evropës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe detyruar mijëra banorë të largohen nga banesat e tyre....
18:58 | 23/07/2026

Përfundon me një të vdekur pengmarrja në një bankë në Gjermani, arrestohet autori

Situata e pengjeve në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman, pas një operacioni të gjerë në perëndim...
18:26 | 23/07/2026