Kallas mbyll në Mitrovicë vizitën në Kosovë: Erdha për të parë me sytë e mi situatën
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e mbylli vizitën e saj në Kosovë të premten me një ndalesë të rëndësishme në Mitrovicën e Veriut, ku u takua me përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe arsimit, si dhe vizitoi zyrën e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.
Gjatë një deklarate për media në Mitrovicë të Veriut, Kallas theksoi rëndësinë e pranisë së saj në këtë zonë të ndjeshme, duke vënë në pah se “atje dëgjohen narrativa të ndryshme” dhe se është thelbësore të kuptohen realitetet nga afër.
“Vizitova gjykatën që funksionon, por që ende po pret kthimin e gjyqtarëve serbë. Gjithashtu bisedova me përfaqësues të shkollave për të kuptuar më mirë situatën dhe për të parë me sytë e mi se çfarë ndodh në këtë pjesë,” deklaroi ajo.
Kallas komentoi edhe situatën e pasigurt që mbizotëron në institucionet në veri të Kosovës pas dorëheqjes masive të serbëve nga strukturat shtetërore në nëntor 2022. Dorëheqjet, që përfshinë policinë, gjyqësorin dhe administratën komunale, u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave, të cilat kërkonte t’i zëvendësonte me ato të Republikës së Kosovës (RKS).
Në një postim në Instagram, Kallas përsëriti qëndrimin e BE-së se “kthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit serb të Kosovës është thelbësor për drejtësinë, stabilitetin dhe bashkëjetesën shumetnike”.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e prezencës ndërkombëtare për të kuptuar më mirë situatën komplekse në veri të Kosovës, ku tensionet etnike vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin normal të institucioneve.
“Është thelbësore të flitet me njerëzit në terren për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë që e ardhmja të jetë e sigurt dhe e begatë për të gjithë në Kosovë,” përfundoi Kallas.
Vizita e saj vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po përpiqet të rrisë përpjekjet për stabilitet në rajon dhe për të nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
LEXONI GJITHASHTU:
Kosova shpall “Non Grata” ministren serbe pas deklartatës skandaloze për spastrim etnik
Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç
Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë