Sezoni turistik në Vlorë sapo ka nisur dhe përgjatë vijës bregdetare syri të kap edhe kampera me shtetas të huaj që pjesë të ndalesave të tyre kanë edhe Vlorën. Nga vende të ndryshme të botës, ata janë vendosur në ato pak hapësira publike që kanë mbetur. Për Euronews Albania, ata tregojnë se çfarë i ka bërë përshtypje në vendin tonë.
“Vijmë nga Gjermania, kemi qenë përgjatë bregdetit dhe pamë shumë ndërtime dhe kjo na mërziti pak por është bukur. Ishim në Greqi dhe në kthim për në shtëpi vendosëm të qëndronim në Shqipëri . Natyra dhe njerëzit janë të mrekullueshëm. Kushtet e kampingut janë të mira por nëse duhet ti krahasoj me Europën janë më pak të mirat, çmimet janë ok,” – u shpreh një turiste.
“Sapo kemi nisur udhëtimin në Shqipëri, kemi ardhur nga Greqia dhe duhet të them se është një bregdet i mahnitshëm. Po ndërtohet shumë në plazhe dhe e patëm pak vështirësi të gjenim një vend për të ndenjur. Kushtet të mira, asgjë speciale por ushqim i mrekullueshëm,” – tha një tjetër turiste.
“Kemi tre ditë që jemi këtu dhe peizazhi është i pakrahasueshëm. Disa miq më thanë se është shumë bukur në Shqipëri, por ka papastërti, me thënë të vërtetën unë nuk e pashë. Më pëlqen shumë këtu, çmimet i mendoja më të lira, por sërish janë të lira për ne,” – u shpreh një turist.
“Jam nga Holanda, është hera e parë që vij. Kthehemi nga disa javë në Greqi dhe në kthim vendosëm të vizitonim Shqipërinë. Është një vend ku nuk kisha qenë më parë. Më pëlqen natyra, njerëzit , ushqimi. Ajo që më vjen keq janë mbeturinat, ishim dje afër lumit dhe pamë shumë plastikë,” – tha një tjetër.
Çdo vit dhe me shumë pushuesit me kampera zgjedhin rivierën shqiptare. Natyra dhe çmimet e ulëta mbeten disa nga arsyet pse të huajt zgjedhin Vlorën si destinacion të pushimeve të tyre, por ashtu siç ata dëshmuan, mungojnë kushtet për të thithur sa më shumë turistë të tillë.
LEXONI GJITHASHTU:
- E mori rrjedhja e ujit në Përmet, humb jetën turistja gjermane
- Humbën rrugën ndërsa eksploronin Pogradecin, gjenden 5 turistët çekë