Kandidati për kryeministër i PDK vizitë në SHBA, takohet me zyrtarë amerikanë
Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po zhvillon vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku është takuar me zyrtarët amerikanë, me të cilët ka biseduar për qëllimet strategjike të Kosovës. Për realizimin e tyre, sipas tij, partneriteti me Shtetet e Bashkuara “është i rëndësisë jetike”.
Hamza njoftoi se është takuar me asistentin e posaçëm të presidentit amerikan, Joe Biden, ambasadorin Michael Carpenter që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare, dhe me drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Kathleen Larkin.
Sipas Hamzës, është koha që të ketë përparim në sigurimin e njohjeve nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të ketë përparim për sigurimin e udhërrëfyesit për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe “përfundimisht në NATO dhe Bashkim Evropian”, që sipas tij, janë qëllimet strategjike të vendit.
“Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, tha Hamza.
Gjatë takimeve në SHBA, Hamza tha se mori një mesazh të qartë: “SHBA-ja qëndron pranë nesh dhe mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.
Takimi i Hamzës me zyrtarët amerikanë në SHBA vjen në kohën kur Uashingtoni po inkurajon Qeverinë e Kosovës që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” me të, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
SHBA-ja ka shprehur zhgënjim me vendimin e fundit të autoriteteve në Kosovë për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës, që sipas zyrtarëve në Kosovë, punonin pa licencë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, deklaroi më 7 gusht se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.
SHBA-ja, por edhe shtetet e tjera perëndimore po ashtu po kundërshtojnë synimin e Qeverisë së Kosovës që të hapë për qarkullim të trafikut urën mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, të banuar me shumicë serbe, shkruan REL.
Hapja e urës po kundërshtohet edhe nga serbët lokalë, ndërkaq BE-ja dhe NATO-ja kanë kërkuar që çdo vendim për hapjen e urës të merret në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Ndryshe, në Kosovë presidentja Vjosa Osmani, më 31 korrik ka zhvilluar konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat pritet të mbahen në fund të janarit apo në pjesën e parë të shkurtit të vitit 2025. Vendimi do të merret më së largu në tetor të këtij viti.
LEXONI GJITHASHTU:
Kurti kundër rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve serbë: Largimi i tyre ishte akt politik
Gjykata Themelore dënon me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti
Dështon mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk merret vendim për kthimin e gjyqtarëve serbë
- 18:06 Nga biçikletat te cilësia e jetës, kush janë 10 qytetet më të mira për të jetuar në 2026
- 17:22 Sulm në zonën turistike të Zaporizhias, Rusia akuzon Ukrainën për 11 të vrarë
- 17:10 Arben Malaj konfirmon kandidaturën për kryetar të Bashkisë së Vlorës: Pse zgjodha të dal i pavarur
- 16:54 Humbi shikimin dhe njërin gisht në fëmijëri, por jo ëndrrën: Historia frymëzuese e klarinetistit Nevruz Bramo
- 16:18 “Za Fest” pushton kalanë e Rozafës, qindra artdashës në natën e dytë të festivalit
- 16:09 Hapat e parë drejt fitores, Pogradeci organizon edicionin e katërt të “Maratonës së Bebeve” (VIDEO)