Katër ndeshjesh pa shënuar gol, Juventusi shkarkon trajnerin Igor Tudor

27 Tetor 2025 | 20:15

Juventusi njoftoi të hënën shkarkimin e trajnerit Igor Tudor pas tre humbjeve radhazi dhe një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore.

Ekipi i Serie A nuk ka fituar që nga 13 shtatori, dhe njoftimi erdhi një ditë pas humbjes së fundit të skuadrës, një 1-0 ndaj Lazios — ndeshja e katërt radhazi pa shënuar gol. Kjo e vendos Juventusin në vendin e tetë në Serie A, gjashtë pikë poshtë liderëve të përbashkët Napoli dhe Roma, dhe tre pikë poshtë vendit të katërt, Inter Milan.

Në Ligën e Kampionëve, Juventusi ka grumbulluar vetëm dy pikë nga tre ndeshjet e luajtura.

Klubi njoftoi se trajneri i ekipit rezervë, Massimo Brambilla, do të marrë përkohësisht drejtimin e ekipit, përfshirë ndeshjen e së mërkurës në shtëpi kundër Udineses.

“Juventusi njofton se sot ka shkarkuar Igor Tudorin nga detyrat e tij si trajner i ekipit të parë të meshkujve, së bashku me stafin e tij të përbërë nga Ivan Javorcic, Tomislav Rogic dhe Riccardo Ragnacci,” tha klubi në një deklaratë të shkurtër.

“Klubi falënderon Igor Tudorin dhe stafin e tij për profesionalizmin dhe përkushtimin gjatë muajve të fundit dhe u uron gjithë të mirat në karrierën e tyre të ardhshme.”

Tudor ishte emëruar në mars për të zëvendësuar Thiago Mottën e shkarkuar, fillimisht deri në fund të sezonit, përfshirë Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara. Në qershor, 47-vjeçari u konfirmua të qëndronte, pasi udhëhoqi Juventusin drejt vendit të katërt dhe kualifikimit në Ligën e Kampionëve me pesë fitore në nëntë ndeshje në Serie A.

Si lojtar, Tudor luajti për Juventusin nga viti 1998 deri në 2007, ndërsa si trajner ka drejtuar më parë Udinesen, Veronën dhe Lazion në Itali. Kroati ka qenë gjithashtu ndihmës i Andrea Pirlos te Juventusi në sezonin 2020-21, me të cilin u shkarkua në fund të sezonit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama shpjegon Paketën e Maleve sipas ChatGPT: Nuk favorizon të pasurit, por familjet me toka të trashëguara pa dokumente

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një shpjegim mbi të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, duke iu referuar një analize të bërë nga ChatGPT....
22:30 | 24/07/2026

Qiraxhi analizon reagimin e Ramës: Pse protesta ka vënë përballë përgjegjësisë të gjithë klasën politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” analizoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të grupit...
22:19 | 24/07/2026

Armir Shkurti zbardh misionin e Kuvendit Kombëtar të protestës: Nuk është forcë politike

I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, gazetari Armir Shkurti shpjegoi rolin dhe funksionimin e Kuvendit Kombëtar të protestës, duke hedhur poshtë akuzat se...
22:06 | 24/07/2026