“Kina, kërcënim për Tajvanin”- Hegseth: Afati që Xi i ka dhënë ushtrisë për pushtim

31 Maj 2025 | 14:47

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se Kina paraqet një kërcënim të menjëhershëm për Tajvanin, ndërsa u ka bërë thirrje vendeve të Azisë që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të forcojnë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për të parandaluar një konflikt të mundshëm ushtarak.

Duke folur në Dialogun Shangri-La, një forum i nivelit të lartë për sigurinë që zhvillohet çdo vit në Singapor, Hegseth theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë “të dominojnë ose mbytin Kinën”, por njëkohësisht nuk do të tërhiqen nga rajoni i Azisë dhe Paqësorit dhe nuk do të lejojnë që aleatët e tyre të frikësohen.

“Çdo përpjekje e Kinës komuniste për të pushtuar Tajvanin me forcë do të ketë pasoja shkatërruese për Indo-Paqësorin dhe për të gjithë botën. Nuk ka arsye për ta zbukuruar këtë realitet. Kërcënimi që paraqet Kina është real dhe mund të jetë i afërt,” deklaroi Hegseth.

Ai e akuzoi Pekinin se po synon të bëhet një “fuqi hegjemonike” me ambicie për të dominuar dhe kontrolluar shumë pjesë të Azisë. Kina ka pasur përplasje të përsëritura me disa prej fqinjëve të saj në rajon për shkak të pretendimeve territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Referuar burimeve të inteligjencës amerikane, Hegseth tha se Presidenti kinez Xi Jinping i ka dhënë ushtrisë afat deri në vitin 2027 për të qenë e gatshme për të ndërmarrë një pushtim të mundshëm të Tajvanit, një pretendim i përsëritur prej vitesh nga zyrtarë amerikanë, ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kineze.

“Kina po ndërton kapacitetin e nevojshëm ushtarak, po stërvitet çdo ditë dhe po përgatitet seriozisht për një skenar real”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, sekretari amerikan i Mbrojtjes vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit rajonal për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme dhe të angazhuara në Azi.

Ndërkohë, Kina ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Hegseth. Delegacioni kinez në samit këtë vit është përfaqësuar në nivel më të ulët dhe ka anuluar papritur fjalimin që ishte planifikuar për ditën e diel. Nuk është dhënë ndonjë shpjegim për këtë vendim.

Dialogu Shangri-La është konsideruar prej kohësh si një platformë kyçe për përballjen diplomatike mes SHBA-së dhe Kinës, në përpjekjen e tyre për të ndikuar në vendimmarrjen strategjike të vendeve të rajonit Indo-Paqësor.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shkon në 164 numri i viktimave nga tërmeti në Venezuelë

Të paktën 164 persona janë vrarë dhe 971 të tjerë janë plagosur në tërmetet e dyfishta që ndodhën gjatë natës, tha presidentja e përkohshëm e...
13:09 | 25/06/2026

Aeroportet e Romës do të pezullojnë sistemin e ri EES gjatë verës për të shmangur fluksin e lartë të pasagjerëve

Aeroportet e Romës do të duhet të pezullojnë sistemin e ri dixhital të kufijve të BE-së për qytetarët jo-BE për të shmangur një “katastrofë” gjatë...
12:48 | 25/06/2026

Tërmetet vdekjeprurëse në Venezuelë, reagon edhe Putin: Solidaritet dhe mbështetje për popullin venezuelian

Presidenti rus Vladimir Putin shprehu ngushëllime të enjten për Venezuelën pas dy tërmeteve të fuqishme që lanë të paktën 32 të vdekur dhe rreth 700...
12:30 | 25/06/2026