Albana Koçiu në Durrës: Forcat e Armatosura po evakuojnë banesat në rrezik

8 Janar 2026 | 17:02

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka zhvilluar një komunikim për mediat pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile në Qarkun Durrës.

Gjatë fjalës së saj, Koçiu theksoi se të gjitha strukturat janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës nga reshjet e dendura. Ajo informon se në disa zona ka nisur evakuimi parandalues i banorëve dhe se situata po monitorohet vazhdimisht për të qenë nën kontroll.

E pyetur se si paraqitet situata aktualisht, Koçiu theksoi se zonat më problematike paraqiten në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri.

“Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile këtu në Prefekturën e Durrësit, ku marrin pjesë të gjithë titullarët e institucioneve që  janë pjesë e mekanizmit të Emergjencave Civile. Si rezultat i reshjeve të dendura të ditëve të fundit, në qarkun e Durrësit, në përgjithësi kemi një situatë, e cila është agravuar 24 orëshin e fundit. Dy nga zonat më të nxehta janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri. Janë dy zona ku është instaluar plani i evakuimit dhe po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit e të gjitha struktura që janë në gatishmëri e po koordinojnë evakuimin e banorëve”, tha ajo.

Më tej, ministrja u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet për çështje sigurie.

“Kam një thirrje për të gjithë qytetarët e këtyre zonave të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës, të institucioneve që të mos kemi rrezik të jetës së vetë njerëzve, por patjetër dhe të gjësë së gjallë në shtëpitë e tyre.

Patjetër do të vijohet më pas me një evidentim të dëmeve, ashtu sikundër bashkia e Durrësit e ka filluar një evidentim e vlerësim të dëmeve të shkaktuara si rezultat i reshjeve. Por në këtë moment, ajo që është më e rëndësishmja, e këtu do të kërkoja bashkëpunimin jo vetëm të qytetarëve por edhe të mediave, të cilat për hir të së vërtetës kanë qenë gjithë kohën në terren duke raportuar, që të sensibilizojmë sa më shumë, sepse tashmë në këto momente, e rëndësishme është jeta e njerëzve”, shtoi Koçiu.

Lidhur me numrin e evakuimeve deri më tani dhe sistemimin e tyre, ministrja Koçiu u shpreh se deri tani janë 20 familje të evakuuara dhe këshillon qytetarët të mos ndërmarrin masa vetë për të dalë.

“Kemi një vlerësim të deritanishëm, janë rreth 20 familje të cilat janë evakuuar në të dy këto dy zona, pra Katund të Ri dhe Vadardhë, ndërkohë që situata është dinamike. Aktualisht strukturat e Forcave të Armatosura janë aty e po evakuojnë çdo banesë që shihet si rrezik edhe paraqet rrezik për banorët.

Patjetër që e rëndësishme është që duhet t’u besojnë autoriteteve shtetërore dhe të mos ndërmarrin masa vetë për të dalë, për të lënë banesën apo për të gjetur një mënyrë tjetër apo zgjidhje tjetër, pasi vetë strukturat dhe autoritetet përgjegjëse janë kompetente dhe e dinë zhvendosjen nga shtëpia e banimit për t’u akomoduar në një vend të sigurt.

Aktualisht ka struktura hoteliere, por ndërkohë janë edhe dy struktura të Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, që janë vënë në dispozicion dhe po suportohen nga Rezervat Materiale të Shtetit për të plotësuar të gjithë instrumentin, apo mekanizmin e emergjencave civile që ngrihet në këto raste. Siç e thashë, strukturat shtetërore janë të gjitha të angazhuara, janë në këmbë për të përballuar dhe për të ndihmuar çdo qytet dhe çdo familje që ka nevojë”, ” përfundoi Albana Koçiu.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026