Kosova dënon deklaratat e Serbisë për marrëveshjen ushtarake Zagreb-Prishtinë-Tiranë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër deklaratat e fundit të Serbisë lidhur me Memorandumin Trepalësh të Bashkëpunimit Ushtarak, të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Në një reagim zyrtar, MPJD e cilëson qëndrimin e Beogradit si agresiv dhe kërcënues, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të hapur të Marrëveshjes së Brukselit. Sipas ministrisë, Serbia pretendon se i pranon këto marrëveshje, por refuzon me qëllim t’i nënshkruajë, duke dëshmuar mungesën e vullnetit për një dialog konstruktiv.
“Me këto deklarata, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe sfidon institucionet legjitime të Republikës së Kosovës,” thuhet në reagimin e MPJD-së. Ministria thekson se Serbia nuk ka të drejtë të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës apo të pretendojë të flasë në emër të saj.
MPJD gjithashtu i cilëson përpjekjet e Serbisë për t’u paraqitur si garantuese e paqes në Ballkan si absurde, duke theksuar se asnjë shtet në rajon nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor se Serbia.
“Në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe mashtruese, Serbia duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të heqë dorë nga ambiciet hegjemoniste,” thekson ministria, duke i bërë thirrje Serbisë që të ndërmarrë hapa konkretë drejt njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
MPJD gjithashtu kërkon nga Serbia të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që krimet e kryera të përballen me drejtësinë.
Në përfundim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës riafirmon angazhimin e Kosovës për forcimin e sigurisë dhe partneriteteve ndërkombëtare, duke theksuar se vendi nuk do të frikësohet nga kërcënimet serbe.
LEXONI GJITHASHTU:
Temperaturat e larta, zjarrfikësit freskojnë rrugët dhe hapësirat publike në Elbasan (VIDEO)
Tentoi të vidhte me thyerje një market në Krujë, shoqërohet në polici 14-vjeçari
“Smart City”, Rama: Projekti nuk ndalet më, do të shtrihet në të gjithë territorin
- 16:56 Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në
- 16:29 Irani u kërkon rebelëve Huthi të mbyllin rrugën e naftës në Detin e Kuq nëse SHBA godet rrjetin iranian të energjisë
- 16:24 Gjykata e Moskës hedh poshtë apelin e Euroclear për asetet e ngrira
- 16:12 India urdhëron ndalimin e marinarëve indianë që të udhëtojnë drejt Hormuzit, shkak situata rajonale
- 16:06 Gjykata merre vendimin, gruaja e kryeministrit spanjoll do të dalë në gjyq për akuzat për përvetësim fondesh
- 15:56 Ligji për mafian, u jep familjeve italiane të drejtën të ‘çlirohen’ nga jeta e krimit