Kosova mbyll dy institucione serbe në veri

8 Janar 2025 | 15:18

Policia e Kosovës më 8 janar mbylli Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë sigurimesh nga Serbia – Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Lista Serbe njoftoi se me mbylljen e Administratës Tatimore, 80 punëtorë “kanë mbetur në rrugë”, dhe e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po vazhdon fushatën zgjedhore “në kurriz të popullit serb”, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se për rastin e Administratës Tatimore është informuar prokurori kujdestar dhe se punonjësve u është lejuar të marrin vetëm sendet e tyre personale.

Ndërsa, lidhur me kompaninë sigurimesh, ai tha se policia në këtë aksion asistoi zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe se prokurori e cilësoi rastin si “shpërdorim të veprimtarisë ekonomike”.

Dunav Osiguranje është një shoqëri aksionare nga Serbia, e cila ofron mbi 100 shërbime në fushën e sigurimeve të jetës dhe të pasurisë. Në faqen e saj zyrtare, në listën e adresave të degëve përfshihet edhe ajo në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës.

Mbyllja e tyre është vazhdim i aksioneve për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat autoritetet zyrtare të Prishtinës i konsiderojnë “të paligjshme”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se “aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional, ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona”.

“Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësishtë i ndaluar për këdo që e zhvillon atë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Lista Serbe njoftoi se gjatë ditës do të bisedojë me punonjësit e Administratës Tatimore dhe për mundësitë e ndihmës dhe mbështetjes.

“Asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa paga dhe të ardhura dhe ekzistenca e tyre do të mbetet e siguruar”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Kosova filloi mbylljen e institucioneve serbe në janar të vitit 2024 dhe deri më tani janë mbyllur një numër komunash paralele serbe në Dragash, Suharekë, Prizren, Rahovec, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Gjithashtu, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq, Banka e Kursimeve Postare, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri, Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Hapësirave të Banimit dhe Biznesit dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore në Mitrovicën e Veriut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një adresim publik në mes të shtatorit të vitit të kaluar, tha se me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, rreth 5.800 persona kanë mbetur pa vendet e tyre të punës, por se ata do të vazhdojnë të marrin paga.

Serbia refuzon të shuajë institucionet e saj për territorin e Kosovës dhe shumicën prej tyre i ka zhvendosur pranë pikave kufitare nga ana serbe.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfshihet nga flakët një ndërtesë në Prishtinë, plagosen dy qytetarë dhe 5 zjarrfikës

Dy qytetarë dhe pesë zjarrfikës kanë mbetur të lënduar nga zjarri që ka përfshirë kulmin e një ndërtese afër Parkut të qytetit në Prishtinë, shkruajnë...
16:49 | 27/06/2026

KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, ja sa ulëse fituan LVV, PDK, LDK dhe AAK në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjene sotme ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, ku partia e parë ka dal...
13:36 | 27/06/2026

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër mblidhet në orën 11:00.   Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e...
18:28 | 26/06/2026