Kosova ndan gjysmë milioni euro ndihma për palestinezët në Gazë

31 Janar 2025 | 10:58

Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milioni euro si ndihmë humanitare për palestinezët në Gazë, pas arritjes së armëpushimit më herët gjatë këtij muaji, që ndali luftën 15-mujore në enklavën palestineze.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se armëpushimi i arritur mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mundëson dërgimin e ndihmave në Gazë.

“Qeveria shpreson dhe bën thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme, pra paqe të drejtë dhe të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha Kurti.

Kurti tha se lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme materiale, andaj palestinezëve u duhet ndihma nga shtetet e tjera që të “mbijetojnë dhe rindërtojnë vendin e tyre”.

Më 19 janar hyri në fuqi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, duke mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, por edhe dërgimin e ndihmave humanitare dhe kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre.

Lufta detyroi popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të zhvendoseshin nga shtëpitë e tyre, shpesh më shumë se një herë, dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në enklavë.

Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Kombet e Bashkuara i publikuar këtë muaj, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.

Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit për “presion ndaj serbëve”

Policia e Kosovës hodhi poshtë pretendimet, siç tha, të pabazuara, të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) për “presion, diskriminim apo...
08:47 | 18/07/2026

Deklarata e ministres serbe, Konjufca letër Kallas. Kërkon takim ose bisedë telefonike për të diskutuar çështjen

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca përmes një postimi në “X” ka bërë me dije se i ka dërguar një...
08:19 | 18/07/2026

Berisha për deklaratat e ministres serbe: Ndjesa e një monstre, përsëris kërkesën për shpalljen e saj ‘non grata’

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish pas deklaratës së ministres serbe, Snezana Paunoviç, lidhur me spastrimin etnik në Kosovë. Në një reagim...
22:24 | 17/07/2026