Kosova nuk përfiton nga fondet 171 milionë euro të BE-së që do të ndajë për Ballkanin Perëndimor

27 Janar 2026 | 17:28

Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.

“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.

Nga kjo shumë e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Sipas KE-së, projektet do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Investimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Më shumë se dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, kemi punuar – përfshirë edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete.

Nga përmirësimi i infrastrukturës deri te forcimi i zhvillimit të biznesit, këto investime krijojnë mundësi reale për qytetarët dhe e bëjnë BE-në një realitet të prekshëm në mbarë rajonin”, tha përmes një deklarate komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute investuese nga disa burime financimi të BE-së, përfshirë Instrumentin për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorët bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.

“Paketa e sotme e financimit përfshin projekte investimi dhe projekte të asistencës teknike që u miratuan sot, duke forcuar më shumë përkushtimin e BE-së ndaj rritjes së qëndrueshme dhe ndërlidhjes rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha KE-ja.

Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet mund të kalojnë në fazën e zbatimit.

Kjo nënkupton finalizimin e marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit, nisjen e studimeve përgatitore për aktivitetet e asistencës teknike dhe përfundimin e procedurave të domosdoshme për realizimin e projekteve të sektorit privat. Pas përmbylljes së këtyre proceseve, mund të fillojë zbatimi i investimeve që mbështeten nga blloku./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026