KQZ i hoqi mandatin e Presidentit, Dodik paralajmëron referendum në shtator

18 Gusht 2025 | 14:43

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka njoftuar se në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës do të mbahet referendum në fund të shtatorit.

Këtë e tha ai më 18 gusht në një konferencë për media në Banja Llukë, në të cilën kryeministri i entitetit, Radovan Vishkoviç, dha dorëheqje.

Shpallja e referendumit erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnje e Hercegovinës (KQZ) ia hoqi Dodikut mandatin për postin e presidentit të Republikës Sërpska. Dodik kërkon që për këtë çështje të shprehen qytetarët.

Vendimi i KQZ-së u mor pak ditë pasi Gjykata e Bosnjës, në fillim të gushtit, e shpalli Dodikun fajtor dhe e dënoi me një vit burgim, si dhe me gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

“Ne kërkojmë respekt dhe liri, e cila do të vijë përmes referendumit. Kjo është porosia jonë – na ktheni te Marrëveshja e Dejtonit. Qëndrimin tonë do ta japim në referendumin që do të mbahet në fund të shtatorit”, tha Dodik.

Ekipi i tij ligjor ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të KQZ-së, e cila tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Bosnjës. Sipas ligjit, më 18 gusht skadon afati treditor brenda të cilit Dhoma e Apelit e kësaj gjykate duhet të marrë vendim.

Ky vendim do të jetë përfundimtar dhe do të përcaktojë nëse Dodik mbetet në detyrë apo mandati i tij zyrtarisht përfundon.

Nëse ankesa refuzohet, KQZ duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh. Mandati i presidentit të ri do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për tetorin e vitit të ardhshëm.

Pse referendumi konsiderohet jokushtetues?

Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk përmban dispozita që ndalojnë apo lejojnë qartë referendumet, por asnjë nivel më i ulët i qeverisjes nuk mund të organizojë referendum për çështje që bien nën juridiksionin dhe kompetencat e shtetit të Bosnje e Hercegovinës.

Dodik dhe aleatët e tij politikë në RS thonë se vendimi për heqjen e mandatit është i paligjshëm, duke u mbështetur në Kushtetutën e entitetit, ku thuhet se mandati i presidentit përfundon para kohe vetëm në rast dorëheqjeje ose shkarkimi.

Kërcënime të mëparshme me referendume

Kuvendi i RS-së për herë të parë miratoi vendim për referendum në vitin 2011, duke e caktuar atë për qershor të atij viti. Pyetja ishte: “A i mbështesni ligjet e vendosura nga përfaqësuesi i lartë në Bosnjë, sidomos ligjet për Gjykatën Shtetërore dhe Prokurorinë?”

Por, Dodik hoqi dorë nga referendumi pas një takimi me Catherine Ashton, asokohe përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Në vitin 2016 u mbajt i vetmi referendum nën udhëheqjen e Dodikut – ai për Ditën e Republikës Sërpska. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës më parë kishte anuluar vendimin për shpalljen e referendumit dhe më pas shpalli të pavlefshëm edhe rezultatet, duke e cilësuar atë jokushtetues.

Prokuroria e Bosnjës ngriti padi ndaj katër personave për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por më pas e tërhoqi akuzën.

Ndër të pandehurit ishte edhe Sinisha Karan, sot ministër i Brendshëm i RS-së, asokohe kryetar i Komisionit të Referendumit. Dodik, si nismëtar, nuk u përfshi në aktakuzë./REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së

Pas tubimit përballë kryeministrisë qytetarë u mblodhën fillimisht para selisë së Partisë Socialiste dhe më pas u drejtuan edhe pranë selisë së Partisë Demokratike. Protestuesit...
23:07 | 03/06/2026

Rama për median ndërkombëtare: Shqipëria nën sulm nga armiqtë dhe në luftë hibride

Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka zhvilluar një intervistë për CNN ku ka folur lidhur me protestat që po zhvillohen kundër ndërtimit në Zvërnec....
21:35 | 03/06/2026

Dita e katër e protestës kundër projektit në Zvërnec, përplasje mes policisë dhe protestuesve

Dita e katërt e protestës kundër projektit në Zvërnec ka nisur këtë të mërkurë me tensione. Situata është përshkallëzuar kur protestuesit janë hasur me kordonin...
18:47 | 03/06/2026