Kryeministri hungarez Orban takon ish-presidentin Trump
Kryeministri hungarez Viktor Orban u takua të enjten me ish-presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin siç u shpreh një zëdhënës i qeverisë në Budapest, diskutoi mbi “mundësitë e arritjes së paqes” dhe armëpushimin në Ukrainë.
Takimi u zhvillua në rezidencën e ish-presidentit Trump “Mar-a-Lago në Florida “si ndalesa e radhës e misionit të paqes të zotit Orban”, tha zëdhënësi i kryeministrit. “Diskutimi ishte mbi mundësitë e arritjes së paqes”.
Udhëheqësi nacionalist Orban, një mbështetës i zotit Trump, gjatë dy javëve të fundit zhvilloi vizita të papritura në Kiev, Moskë dhe Pekin, në atë që e cilësoi si “mision paqeje”, një nismë që zemëroi aleatët e NATO-s.
Disa anëtarë të NATO-s, të shqetësuar veçanërisht nga takimi i zotit Orban me presidentin rus Vladimir Putin, thanë se takimi i dha legjitimitet Putinit në një periudhë kur Perëndimi synon izolimin e tij për shkak të agresionit kundër Ukrainës.
Zoti Orban udhëtoi drejt Kievit para vizitës në Moskë, por nuk përmendi planet e tij për të udhëtuar drejt Rusisë gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Zoti Zelenskyy hodhi poshtë ambiciet e zotit Orban për të luajtur rolin e ndërmjetësuesit të paqes.
“Jo të gjithë udhëheqësit mund të zhvillojnë negociata. Duhet të kesh fuqi për ta bërë një gjë të tillë”, tha zoti Zelenskyy gjatë një konference shtypi në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington.
I pyetur mbi nismën e zotit Orban, këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan tha se Ukraina shqetësohet me të drejtë rreth çdo përpjekjeje për të negociuar arritjen e marrëveshjes së paqes pa përfshirë Kievin.
“Çfarëdo aventure që ndërmerret pa pëlqimin ose mbështetjen e Ukrainës, nuk është në përputhje me politikën tonë, politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Sullivan.
Misioni i paqes, siç e ka cilësuar nismën e tij zoti Orban, ka zemëruar edhe shumë anëtarë të Bashkimit Evropian, presidencën e së cilës Hungaria e mori në fillim të këtij muaji.
Ambasada hungareze në Uashington nuk pranoi të komentojë takimin e planifikuar me zotin Trump, për të cilin u raportua fillimisht në agjencinë ‘Bloomberg’.
Zoti Orban mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s të organizuar nga presidenti demokrat Joe Biden. Përfaqësuesit e Hungarisë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj qëndrimeve kyçe të NATO-s, por nuk bllokuan aleancën në ndërmarrjen e vendimeve.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto i tha agjencisë së lajmeve Reuters të mërkurën se Hungaria beson se një presidencë e dytë e republikanit Trump do të rriste shpresat për arritjen e paqes në Ukrainë shkruan VOA.
Sipas zotit Szijjarto, kryeministri Orban shpresonte t’i jepte fund luftës përmes bisedimeve për paqe me Rusinë dhe Ukrainën.
Zoti Trump ka thënë se nëse fiton në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, do t’i japë fund luftës, por nuk ka ofruar një plan të detajuar se si do të mund ta arrinte këtë. Reuters njoftoi muajin e kaluar se këshilltarët e ish-presidentit i kishin paraqitur atij një plan për t’i dhënë fund luftës pjesërisht, duke kushtëzuar ndihmën e ardhshme për Kievin me angazhimin e Ukrainës në bisedimet për paqe.
Në muajt e fundit, zyrtarë të huaj kanë kërkuar rregullisht takime me zotin Trump dhe këshilltarët e tij kryesorë, për të diskutuar politikën e tij të jashtme, nëse ai fiton ndaj presidentit Biden në zgjedhjet e 5 nëntorit. Sondazhet tregojnë se republikani Trump po zgjeron epërsinë e tij ndaj zotit Biden.
Një nga këshilltarët e zotit Trump, Keith Kellohh, është takuar me disa zyrtarë të lartë të huaj në kuadër të takimit të nivelit të lartë të NATO-s, njoftoi Reuters këtë javë.
Australia shtrëngon kontrollin mbi rrjetet sociale, gjoba deri në 99 milionë dollarë për shkeljen e ligjit
Një tërmet i fortë godet Japoninë, sa ishte magnituda
Momenti kur 11-vjeçari nxirret i gjallë nga rrënojat, 3 ditë pas tërmeteve vdekjeprurëse në Venezuelë
- 11:19 Australia shtrëngon kontrollin mbi rrjetet sociale, gjoba deri në 99 milionë dollarë për shkeljen e ligjit
- 10:43 Dy automjete përfshihen nga flakët gjatë natës në Elbasan, nisin hetimet
- 10:29 Aksident në Novoselë, përplasen një makinë dhe një motor, plagoset drejtuesi i motomjetit
- 10:23 “Ata kanë nevojë që zgjidhja të mos vijë kurrë, Rama: Protestat po ushqehen nga aktorë që kërkojnë kaos
- 10:22 Ndërron jetë i burgosuri në Shkodër, ndodhej në qeli me të birin
- 10:20 Qarkullonte me armë zjarri në automjet, Policia arreston 31-vjeçarin nga Lezha në Rinas