Kryeministri Rama në BBC: Nuk do të lejojmë qendra kthimi në Shqipëri

23 Tetor 2025 | 10:38

Gjatë qëndrimit të tij në Londër, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për programin “The World Tonight” në BBC Radio 4, ku u shpreh kundër ngritjes së qendrave të kthimit në territorin shqiptar.

Kreu i qeverisë shqiptare sqaroi se, ndonëse ka një marrëveshje të veçantë me Italinë për trajtimin e azilkërkuesve, Shqipëria nuk do të pranojë kurrë ngritjen e qendrave të kthimit në territorin e saj.

“Me Italinë ishte një marrëveshje unike për shkak të marrëdhënies sonë shumë të veçantë. Ne i ofruam Italisë një copë toke tonën që të menaxhohej nga ata, si juridiksion italian. Por ideja e qendrave të kthimit nuk është zgjidhja,” theksoi ai.

Rama shtoi se zhvendosja e azilkërkuesve në vende të treta mund të ketë efekt parandalues, por nuk adreson shkakun e vërtetë të emigracionit.

Ai theksoi nevojën që Evropa dhe Britania të reflektojnë mbi rolin e emigracionit në shoqëritë e tyre të plakura.

“Në fund të ditës duhet të pyesim: a është imigracioni një problem apo pjesë e zgjidhjes? Unë besoj se është pjesë e zgjidhjes, sepse dimri demografik i Evropës dhe Britanisë është shumë i pranishëm,” tha Rama, duke shtuar se nevoja për fuqi punëtore është e madhe.

Sipas tij, emigracioni i paligjshëm dhe rrjetet e trafikimit mund të luftohen vetëm përmes bashkëpunimit të drejtëpërdrejtë dhe marrëveshjeve të ndërsjella midis vendeve të origjinës dhe atyre të destinacionit.

“Ana e errët e këtij fenomeni duhet trajtuar përmes marrëveshjeve ku të dyja palët fitojnë. Por, për fat të keq, jetojmë në një kohë kur zgjidhjet e dobëta mbizotërojnë për shkak të presionit të politikës që kërkon përçarje dhe kërkon gjak – në kuptimin simbolik,” u shpreh ai.

Intervista e plotë

Pyetje – Kryeministër, ajo marrëveshje që ka të bëjë me shtetasit shqiptarë padyshim pati një ndikim në vitin 2022. Shqiptarët përbënin më shumë se një të tretën e njerëzve që mbërrinin me anije, më shumë se çdo kombësi tjetër, por numri i shqiptarëve ka ardhur në ulje me 95% në tre vitet e fundit. Megjithatë, nuk ka qenë krejt e thjeshtë. Në maj të këtij viti, Keir Starmer shpalli planet për ngritjen e qendrave të kthimit për azilkërkuesit e refuzuar gjatë një vizite në Shqipëri, vetëm që mikpritësi i tij, Kryeministri shqiptar Edi Rama, ta hidhte poshtë idenë e një të tilli. Zoti Rama, marrëveshja me Italinë fqinje për të trajtuar azilkërkuesit është bllokuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, ndërsa ju përdorët një fjalim në Londër mbrëmë për të theksuar se Shqipëria nuk do të ketë kurrë qendra kthimi. Si e shpjegon suksesin e marrëveshjes për kthimet?

Kryeministri Edi Rama: Për një kohë të gjatë, informacioni vonohej nëpër kanale, kështu që shpejtësia e reagimit ishte krejtësisht e papranueshme. Agjencitë kishin shumë keqkomunikim, ndaj unë gjithmonë kam thënë: dëgjoni, nëse duam sukses, duhet të përgjigjemi me të njëjtën shpejtësi. Duhet të jemi po aq të shpejtë sa trafikantët. Duhet të jemi po aq interaktivë sa ata, duhet të jemi po aq të bashkuar sa ata, sepse nuk është fjala vetëm për një grup etnik që merret me gjithë rrjetin, por për një ndërmarrje shumëkombëshe. Pra, ne jemi dy vende, sillni disa nga njerëzit tuaj në Shqipëri dhe fillojmë punën, dhe ne sjellim disa nga njerëzit tanë në Britani dhe fillojmë punën, dhe kjo e kemi bërë. Praktikisht krijuam një ekip të përbashkët.
Informacioni kalonte në kohë reale.

Pyetje- Tani po flitet për qendrat e kthimit. Ju keni bërë të qartë qëndrimin tuaj, Shqipëria e përjashton këtë si një qendër kthimi. Ju keni marrëveshjen, keni pasur marrëveshjen me Italinë, e cila has në vështirësi ligjore për shkak të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Po këtu në Britani ka një debat i madh nëse traktatet duhet të përshtaten për epokën moderne, sepse nuk marrin parasysh realitetin e rrjeteve ndërkombëtare të kontrabandës së paligjshme. A mendoni se duhet të ndryshojnë gjërat, bazuar në përvojën tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Më lejoni të respektoj BBC-në siç e meriton duke ju dhënë përgjigjen time shumë të sinqertë. Me Italinë ishte një marrëveshje e veçantë, për shkak të marrëdhënieve tona shumë të veçanta me Italinë, dhe në atë marrëveshje e bëra shumë të qartë që i ofrojmë Italisë një pjesë toke që ju e menaxhoni për projektin tuaj. Ajo tokë është nën juridiksion italian. Ne po ju ofrojmë këtë pjesë toke sepse jeni të veçantë për ne. Pjesa tjetër e pyetjes suaj ka të bëjë me idenë e qendrave të kthimit. Kjo nuk është zgjidhja. Në rastin e Shqipërisë dhe Italisë, ka kuptim sepse na ndan vetëm deti. Por të kesh njerëz në tokë, t’i çosh me avion, t’i çosh në një vend të tretë mijëra kilometra larg, mund të ketë një efekt parandalues, por nuk do të ndalojë emigracionin në mënyrën e duhur. Sepse në fund të fundit, Europa në përgjithësi, por edhe Britania në këtë rast, ka një pyetje për të përgjigjur: A është emigracioni problem apo pjesë e zgjidhjes? Unë besoj se është pjesë e zgjidhjes sepse demografia është shumë shqetësuese. Dimri demografik për pjesën e vjetër të Evropës dhe për Britaninë është shumë i pranishëm. Dhe nevoja për fuqinë punëtore, për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe për njerëz që janë gati të bëjnë të gjitha llojet e punëve është shumë e madhe. Tani, anën e keqe të këtij fenomeni, që është trafikimi dhe emigracioni i paligjshëm, duhet ta trajtojmë me marrëveshje me vendet e origjinës. Duhet të jenë marrëveshje fitim-fitim, dhe kështu me radhë. Por duket se jetojmë në një kohë kur zgjidhjet e dobëta mbizotërojnë për shkak të presionit të lartë politik nga palët që kërkojnë përçarje dhe kërkojnë “gjak” në kuptimin simbolik.

Pyetje- Nëse do t’ju kërkohej këshilla nga Kryeministri apo qeveria britanike për të trajtuar këto çështje që ka Britania, cilat janë mendimet tuaja kryesore? Çfarë këshille do t’u jepnit?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, unë jam më i gjatë se të gjithë liderët e tjerë në këtë pjesë të botës, por jam shumë i vetëdijshëm që drejtoj një vend shumë të vogël, dhe është e pamundur që unë të vendosem në pozicionin e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.
Dhe me mënyrën sesi po shkojnë gjërat në Mbretërinë e Bashkuar, jam shumë i lumtur që jam Kryeministri i Shqipërisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE dërgon ndihmë emergjente në Venezuelë pas tërmeteve vdekjeprurëse

Bashkimi Evropian ka dërguar ndihmë emergjente në Venezuelë pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor, duke shkaktuar viktima dhe dëme të...
18:19 | 26/06/2026

Vala e të nxehtit merr jetë njerëzish në Francë, 55 vdekje të regjistruara në Paris brenda një dite

Të paktën 55 vdekje u regjistruan dje nga shërbimet e urgjencës mjekësore (SAMU) në Paris, një shifër shumë herë më e lartë se mesatarja e...
17:34 | 26/06/2026

Volkswagen planifikon të shkurtojë deri në 100,000 vende pune dhe ndoshta të mbyllë fabrikat

Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen po shqyrton një valë të re të madhe ristrukturimi në të cilën deri në 100,000 vende pune mund të shkurtohen...
17:01 | 26/06/2026