Kulla e Bolonjës përkulet si ajo e Pizës, qytetarët mbledhin fondet për ndërhyrje
Falë angazhimit të bizneseve dhe qytetarëve, pushteti vendor në Bolonja të Italisë ka mbledhur të ardhura për nisjen e punimeve për sigurinë e kullave simbol të qytetit.
Dy kullat janë objektet historike të qytetit të Bolonjës, të njohura ndryshe si “Turrita”, pasi në epokën mesjetare zona kishte rreth 100 kulla, simbol i prestigjit dhe pasurisë së familjeve aristokrate.
Më e larta, ajo e quajtur Azineli, është 97 metra. Por është ajo më e ulët, Garizenda, prej 47 metrash, që shqetëson autoritetet, për shkak të pjerrësisë me 4 gradë, më shumë se ajo e Pizës.
Matteo Lepore, kryebashkiak i Bolonjës deklaroi: “Dy kullat janë simbol i qytetit tonë. Ato kujtohen nga Dante në Komedinë Hyjnore, sidomos kulla që përkulet, Garizenda. Ato janë simbol i identitetit të historisë më të madhe mesjetare në qendër të Evropës. Këto kulla përfaqësojnë peizazhin e Bolonjës. Është e pamendueshme t’i humbasim, ndaj duhet të kujdesemi për to”.
Kulla Garizenda është përkulur që nga lindja e saj, mbi 900 vjet më parë, për shkak të fundosjes së tokës dhe themeleve gjatë ndërtimit.
“Historikisht, kulla anon drejt lindjes, gjë që është shumë e theksuar. Këtë pranverë, në muajin e majit, përmes sensorëve që u vendosën në katër këndet e saj, një fundosje e re e paprecedent toke u zbulua në drejtimin jug-perëndimor”, tha Raffaela Bruni, inxhiniere, koordinatore e punimeve:
Fundosja e re kërkon fillimin e punimeve për sigurinë që do të zgjasin rreth 2 vjet dhe që do të pasohen nga punimet për restaurimin.
“Puna për ta bërë kullën Garizenda të sigurt nisi edhe falë kontributit të banorëve dhe qytetarëve që donin të tregonin dashurinë e tyre për simbolin kryesor të qytetit të Bolonjës”, deklaron gazetarja Luca Palamara, në një reportazh për Euronews.
Kryebashkiak i Bolonjës foli dhe mbi mobilizimin për mbledhjen e fondeve.
“Pati një mobilizim të madh për mbledhjen e fondeve, u siguruan rreth 4 milionë euro nga bizneset lokale dhe qytetarët. Kemi edhe një faqe të posaçme interneti dhe falë këtyre burimeve mund të bëjmë mirëmbajtjen dhe restaurimin”.
Kulla Garizenda do të jetë e sigurt për një kohë të gjatë, edhe pse ajo do të vazhdojë të përkulet.
LEXONI GJITHASHTU:
Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
Vala e të nxehtit në Europë, mbi 12 mijë vdekje gjatë muajit qershor
Studimi: Netët tropikale po na prishin cilësinë e gjumit dhe reduktojnë orët e tij
- 22:27 L’Equipe zbulon prapaskenat e Francës, Dembele shpërtheu ndaj shokëve në pushimin e ndeshjes me Spanjën
- 22:27 Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
- 22:22 Si ikën Rama? Xhafo zbulon 2 mënyrat dhe bën llogarinë e mandateve…
- 22:20 Deklarata e ministres serbe për Kosovën ndez reagime në Europë, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Beogradit nga negociatat me BE-në!
- 22:19 Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar
- 22:18 “Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë