Kurti: Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së

20 Nëntor 2023 | 07:35

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Rusia po synon të ndezë një vatër krize “në oborrin e Bashkimit Evropian”, me qëllim që, sipas tij, të shpërqendrojë NATO-n.

Përmes një postimi në Facebook Kurti tha se po vërehet gjithnjë e më shumë “kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale”.

Deklaratat e Kurtit se Rusia dëshiron të nxisë një krizë të re, vijnë disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Moska synon të nxisë konflikt midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Së pari kemi pasur Lindjen e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky më 15 nëntor.

Ndërkaq, sipas Kurtit, synimi i Serbisë është përmbushja e ambicioneve territoriale ndaj fqinjëve të saj. Në këtë kontekst, ai përmendi grupin e serbëve që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter i policisë.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

“Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, shkroi Kurti, duke mos ofruar dëshmi për këto pretendime.

Ai kërkoi që Serbia të sanksionet për sulmin në Banjskë, përderisa pretendoi se më 10 nëntor në Rashkë të Serbisë, Radoiçiq ka udhëhequr një takim me dhjetëra politikanë serbë e zyrtarë të komunave paralele serbe. Sipas Kurtit, në këtë takim ka marrë pjesë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, dhe përfaqësues të Listës Serbe.

Shqetësimin e Zelenskyt e ndau edhe BE-ja, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit i thanë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me partnerët evropianë, që të avancohet qeverisja, sundimi i rendit dhe ligjit dhe të kryen reformat kundër korrupsionit “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe të sjellin paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

LVV merr mandatin e 53-të, hapet rruga për formimin e qeverisë me komunitetet

Me përfundimin e numërimit të votave me postë nga diaspora, Vetëvendosje ka siguruar edhe një mandat shtesë, duke arritur në 53 deputetë në Kuvendin e...
20:02 | 17/06/2026

Rutte: KFOR-i në të ardhmen do të ketë deri në 3,500 trupa

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se në të ardhmen, misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, do të ketë deri në 3.500...
15:22 | 17/06/2026

PE miraton rezolutën për Kosovën: Reformat dhe përparimi në dialog, kyç për rrugën evropiane

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku thuhet se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi mbeten kyç në rrugën evropiane të vendit. Rezoluta...
14:42 | 17/06/2026