Kuvendi i Serbisë kalon me procedurë të përshpejtuar projektin e Jared Kushener

4 Nëntor 2025 | 08:19

Kuvendi i Serbisë pritet të miratojë një ligj të posaçëm për të përshpejtuar projektin e ndërtimit që Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – planifikon në Beograd, pavarësisht kundërshtimeve lokale.

Ligji, i cili do të shqyrtohet më 4 nëntor, mbështetet nga partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili e ka përshkruar projektin si “një hotel madhështor”, shkruan REL.

Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trumpit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, vitin e kaluar bëri publik planin për një kompleks hotelier prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit.

Projekti përqendrohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zemër të kryeqytetit, e cila u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999, gjatë fushatës për të ndaluar sulmet serbe në Kosovë.

Me gjithë dëmtimet, ndërtesa mbeti nën mbrojtje, për shkak të vlerës arkitekturore, sipas aktivistëve lokalë.

Ligji i ri i propozuar e anashkalon këtë mbrojtje, duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”.

Ai parashikon që “të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të Shtabit të Përgjithshëm të trajtohen si urgjente” dhe që “të gjitha institucionet shtetërore të marrin vendime brenda kompetencave të tyre pa vonesa”.

Si erdhi deri këtu?

Ky ligj pason një sërë përplasjesh rreth projektit.

Në nëntor të vitit 2024, Qeveria serbe hoqi statusin e mbrojtur të ndërtesave, duke hapur rrugën që kompania e Kushnerit të vazhdonte me projektin.

Një gjë e tillë ngjalli zemërim te mbrojtësit e trashëgimisë kulturore.

Në maj, Prokuroria njoftoi se zyrtari përgjegjës për mbrojtjen e këtij objekti kulturor, kishte falsifikuar një nënshkrim në një dokument kyç dhe ishte arrestuar.

Goran Vasiç, drejtor në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, pranoi se kishte sajuar një opinion ekspertësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, e mohoi çdo përfshirje në falsifikimin e dokumenteve dhe premtoi se do të ndërtojë një kompleks përkujtimor brenda objektit, kushtuar viktimave të bombardimeve të NATO-s.

Objekti u përfshi në listën e këtij viti të vendeve të trashëgimisë më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nostra – organizata më e madhe e mbrojtjes së trashëgimisë në kontinent.

Kur një delegacion nga ky grup vizitoi objektin në muajin korrik, tha se ai është “simbol i përgjegjësisë kolektive për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të shekullit 20”.

Brenda Serbisë, projekti ngjalli kritika të mëdha.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Zdravko Ponosh, akuzoi presidentin Vuçiq se “po investon në të ardhmen e tij politike”, duke e krahasuar dhënien e kontrollit mbi këtë vend me “dorëzimin e një stolie familjare”.

Politikanë nga të gjitha anët e spektrit politik kërkuan që ndërtesa të ruhet si monument historik.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez

Kupa e Botës FIFA 2026 po lë gjurmë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në regjistrat civilë. Në Peru është shënuar një rritje...
13:56 | 14/07/2026

Dyshime për abuzim me fondet, shkarkohet drejtoresha e filialit të Postës në Durrës

Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar në Prokurori pas një kontrolli të zhvilluar në...
13:46 | 14/07/2026

Nga Bavaria në Francë, zhduket ngarkesa me 20 tonë djathë me vlerë 80 mijë euro

Policia gjermane po heton zhdukjen misterioze të 20 tonëve djathë Emmental, të cilët nuk mbërritën kurrë në destinacion gjatë transportit nga Bavaria drejt Francës. Sipas...
13:36 | 14/07/2026