La punën në Hagë për t’u kthyer në Shqipëri, historia motivuese e studentit ekselent
Të studiosh jashtë vendit është ëndrra, por edhe sfida e shumë të rinjve shqiptarë. Arlind Ahmetaj është një prej atyre të rinjve që e ka realizuar këtë ëndërr.
“Unë jam larguar nga Shqipëria në moshën 15-vjeçare”, shprehet ai. Pas largimit, ai arriti të fitonte të drejtën për të studiuar në një nga kolegjet më të mira të Europës.
“Unë kam studiuar në një kolegj amerikan në Belgjikë”, tregon i riu. Puna e tij e lodhshme për të arritur rezultate të larta, u vlerësua dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë kohë, Barak Obama, i cili i dërgoi të riut shqiptar një letër falënderimi për rezultatet e larta në kolegj.
“Ishte një ndjesi e veçantë në fakt sepse më gjeti pak të pa përgatitur. Unë nuk e dija që një titull i tillë ndahej në shkollë dhe le të themi që ishte përjetim i dyfishtë, nga njëra anë nuk është se qëllimi im ishte ceremonia e këtij titulli, por ishte vlerësim për një punë të konsiderueshme për gjatë asaj kohe 3-vjeçare”, u shpreh Ahmetaj.
Ai tregoi se titulli jepet për një grup shumë të limituar studentësh. “Sipas statistikave këtë titull e marrin rreth më pak se 0.1% e studentëve që studiojnë në të gjithë Amerikën, pra gjithë kolegjet amerikane kudo që ndodhen, brenda apo jashtë saj”, tha Ahemtaj.
Pas kolegjit, ai nuk pati dilema se çfarë do të studionte më tej. “Ka qenë një passion i imi në fakt që në moshë fare të vogël. E kam pas shumë pasion të folurit në publik, kam pas pasion komunikimin me njerëzit dhe le të themi po bëja një vlerësim të atyre që unë i konsideroja si pikat e mia më të forta dhe u drejtova drejt avokatisë. Ai ka qenë pasioni im dhe studimi në jurisprudencë ka qenë hapi i parë drejt avokatisë”, tha i riu.
Rezultatet e shkëlqyera bënë që ai të pranohej në Universitetin e Hagës, dhe më pas studimet master t’i kryente në një nga universitetet më të mira në botë në këtë fushë.
“Si universiteti I Hagës, ashtu dhe University Collage London në të cilin unë kam bërë masterin, janë dy universitete mjaft të vështira për të hyrë, sidomos ky fundit i cili është një nga 6 universitet më të mira në botë në fushën e drejtësisë. Në universitetin e Hagës ne e kemi nisur 500 studentë dhe në vitin që jam diplomuar unë, janë diplomuar rreth 60 studentë”, tha ai.
Studimi në këto universitete e ka bërë atë të kuptojë se cili është dallimi mes universiteteve jashtë vendit dhe të studiuarit në Shqipëri.
“Përgjithësisht jashtë Shqipërisë fokusohen tek aftësitë e të menduarit, e të logjikuarit. Më shumë sesa të jesh një përsëritës i mirë i njohurive, duhet të jesh studiues i mirë njohurive dhe të jesh i aftë që ato njohuri t’i vendosësh në punë nesër”, tha ai.
Edhe gjatë viteve të studimit, ai ka kontribuar në disa çështje të cilat lidheshin me vendin tonë.
“Një nga projektet në të cilën unë u angazhova në atë periudhë ishte në lidhje me Shqipërinë dhe kishte të bënte më investimet në burgjet e të miturve në Shqipëri, i cili ndodhej në Kavajë”, tregoi i riu.
Pas përfundimit të studimeve, Arlindi arriti të punësoj në Gjykatën e Hagës.
Por pse vendosi që të linte Holandën dhe punën e tij në një gjykatë prestigjoze për t’u kthyer në Shqipëri?
“Doja të jepja një kontribut sado modest në Shqipëri, doja të isha avokat në Shqipëri, të merresha me çështjet juridike në Shqipëri. Kjo ishte arsyeja pse unë vendosa ti jepja një shans Shqipërisë dhe nuk jam penduar që kam bërë këtë zgjedhje”, u shpreh avokati.
Prej 5 vjetësh Arlind Ahmetaj punon në një nga studiot më të mëdha ligjore në vend, por vazhdon të angazhohet në kauza që e bëjnë drejtësinë më të prekshme për qytetarët.
Arlindi nuk është penduar aspak për zgjedhjen e tij për t’u kthyer, dhe ka një mesazh për të gjithë të rinjtë që janë përballë së njëjtës dilemë të cilës ai I dha zgjidhje vite më parë.
“Megjithatë nga eksperienca ime 5-vjeçare, kam vënë re se çdo student i cili ka dëshirë për të punuar, dedikohet, i kushton kohë, por mbi të gjitha e bën me shumë dashuri atë që bën, ngjan pak klishe, por është e vërtet, mund të ia dalë”, përfundoi ai.
“Keni kujdes”, njoftimi i Ministrisë së Jashtme për shqiptarët në Gjirin Persik
Gratë e njohura presin flokët live, për herë të parë në një televizion në Shqipëri
Eraldo Rexho: Pse ia kam lënë “seen” Arbana Osmanit
- 11:49 Mes tensionesh dhe sharjesh transportohet drejt Traumës autori i vrasjes së policit në Maliq (VIDEO)
- 11:38 Pëllumb Gjoka flet për herë të parë për akuzat në “Metamorfoza”: Po gjykohem mbi thashetheme
- 11:36 Balla-Berishës: Kemi ne antimitig, ne kemi një ditëlindje, projekti i Zvërnecit do të bëhet
- 11:30 Detaje nga vrasja e efektivit në Maliq, autori gjakftohtë, nuk shfaqi asnjë pendesë pas arrestimit
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush