Vitet e fundit, emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri, që rezultonin të dënuar me burgim të përjetshëm kanë rifituar lirinë. Një fenomen i tillë ka ardhur duke shfrytëzuar një ligj të vitit 2008, që i jep të drejtën një të dënuari për jetë, që të kërkojë lirim me kusht pasi ka kryer 25 vite heqje lirie. Përveçse nga ky ligj kanë përfituar persona me rrezikshmëri të lartë, kanë dalë nga burgu dhe të dënuar që nuk kanë plotësuar kushtin themelor, atë të kryerjes së 25 viteve burg.
Për gazetarin e kronikës, Ferdinand Dervishi lirimi i personave të dënuar me burg të përjetshëm vjen për shkak se persona të njohur të krimit kanë drejtuar grupet e tyre dhe brenda qelive dhe në këtë mënyrë pas fuqizimit ekonomik kanë arritur që të blejnë drejtësinë. Por, gjithashtu sipas tij kjo situatë po dëshmon se piramida e shtetit nuk po funksionon.
“VIP-at e krimit shqiptar, që të gjithë po lirohen, po ia hedhin dënimit me burg të përjetshëm. Që një person të jetë dënuar me burgim për jetë, do të thotë se është shumë i rrezikshëm. Disa eksponentë të krimit, kanë drejtuar grupet e tyre nga burgu. Kanë bërë lekë për ta, dhe këto para kanë shkuar për një qëllim; për uljen e dënimit të tyre. Kanë paguar para në shifra marramendëse. Në lista të Ambasadës Amerikane kemi emra gjyqtarësh që kanë marrë shifra të tilla nga eksponentë të krimit shqiptar. Derisa Ambasada Amerikane u ka ndaluar hyrjen, ka prova për këtë gjë”, tha Dervishi në Ilva Now.
Gazetari Dervishi duke folur në Euronews Albania nënvizoi se bëhet fjalë për miliona euro, ku nga marrja e këtyre shumave, njerëzit e drejtësisë marrin përsipër dhe largimin nga detyra.
Gazetari, Zhevahir Zhabina bën të ditur se në rastin e fundit të lirimit të Indrit Dokles, Gjykata e Krujës ka llogaritur si dënim të vuajtur dhe uljen e dënimit që ish-pjesëtari i Bandës së Durrësit ka përfituar disa herë, pasi ka bërë 15 kërkesa për ulje dënimi.
“Lirimi i Indrit Dokles dhe personazheve të tjerë, ka ardhur kryesisht nga interpretimi i ligjit nga Gjykata e Krujës, pasi në burgun e Fushë-Krujës vuajnë dënimin disa nga të dënuarit për krime të rënda. Gjykata, në rastin e Indrit Dokles ka llogaritur si vuajtje dënimi dhe uljen”, u shpreh Zhabina.
Ai shton më tej se, ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, pritet të sjellë reagim për zyrtarë e drejtësisë që kanë abuzuar me ligjet për lirimin e të dënuarve. Nga ana tjetër, pavarësisht ngritjes së SPAK-ut ende nuk ka denoncime të rëndësishme që lidhen me emra të njohur të botës së krimit.