Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi – ka thënë të mërkurën se nuk do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se “deklaratat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurtit për gjoja mbështetjen e paralajmëruar nga deputetët e Listës Serbe, janë një e pavërtetë e pastër”.
“Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që po i shpërndajnë shërbejnë qartësisht për lojërat e tyre të brendshme, prandaj i hedhim poshtë publikisht”, tha Lista Serbe.
Lista Serbe e cila i fitoi 9 prej 10 ulëset e garantuara për pakicën serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës nuk përmendi emrat në njoftimin e saj kur tha se bashkëpunëtorë të Kurtit kishin bërë deklarata të tilla.
Megjithatë, ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të martën se mund të ketë “tendencë nga disa deputetë” të Listës Serbe për të votuar për Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, me qëllim “për ta njollosur atë”.
“Mund të ketë një ndarje të Listës Serbe dhe një pjesë të tyre, për ta diskredituar para opinionit shqiptar këtë koalicion, mund ta japin votën që të cilën nuk ua kemi kërkuar. Ne duhet ta përgatisim opinionin për këtë gjë, sepse nuk mund t’ua lidhim duart atyre”, tha ajo.
Gërvalla e përsëriti se ka “qenë gabim” që Lista Serbe është certifikuar për këto zgjedhje.
Vetëvendosje e ka hedhur poshtë vazhdimisht bashkëpunimin e mundshëm me Listën Serbe dhe kishte luftuar certifikimin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit, por Gjykata Supreme e Kosovës e kishte aprovuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.