Mbrëmjen e të martës në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Paolo Spadaccini, president i bordit të “Festival Puccini di Torre del Lago”, vlerësoi Teatrin e Operës dhe Baletit shqiptar dhe nderoi drejtoreshën e përgjithshme Abigeila Voshtina, si ambasadore e artit puçinian në botë, në 100-vjetorin e vdekjes së gjeniut të Torre del Lago.
Spadaccini dorëzoi çmimin më prestigjioz të “Festival Puccini”, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy teatrove për përhapjen jo vetëm të emrit të kompozitorit të madh italian Puccini, por edhe të produksioneve të “Festival Puccini di Torre del Lago”, që janë vënë në skenën e TKOB-së.
“Kemi ardhur rreth 50 veta nga Italia për të ndjekur këtë shfaqje. Faleminderit Shqipëri, faleminderit TKOB”, – tha ai.
E emocionuar e priti çmimin Abigeila Voshtina, pasi kjo është hera e parë që TKOB vlerësohet nga një teatër tjetër i huaj me çmimin unik “Puccini”, që jepet një herë në vit.
“Jam e emocionuar për punën e palodhur që keni bërë. Teatri më në fund njihet nga një fondacion siç është Puçini. Faleminderit të gjithëve”, – tha ajo.
Pas dhënies së çmimit në skenën e TKOB-së u dha shfaqja e operës “Madama Butterfly”, produksion i realizuar pikërisht nga “Festival Puccini” në Torre del Lago.
Me një koncept të veçantë regjisorial, nga Manu Lalli, me në qendër natyrën e gruas, që është e harlisur dhe e pafajshme, e cila vdes nga mungesa e kujdesit, vëmendjes dhe dashurisë, “Madama Butterfly” vjen në TKOB në datat 26, 27, 28, 30 maj dhe 1 qershor ora 20:00.