Ish-deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu duke komentuar propozimin e Komisionit Evropian për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, u shpreh se, zgjerimi është një proces politik dhe jo metodologjik. Ish-ministrja e Integrimit për 8 vite gjatë qeverisjes së PD-së, theksoi gjatë intervistës për Euronews Albania, se në fund Evropa do të duhet të ruaj besueshmërinë sa i takon integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Një proces politik besoj se nuk mund të ndryshojë me metodologji. Procesi i anëtarësimit në BE është proces jetik, politik, transformimi për të gjitha shoqëritë tona. Për të kaluar një situatë jo normale të një vetoje të Francë, që nuk ishte vetëm ajo por dhe Danimarka dhe Holanda, duhet një qasje tjetër. Gjithashtu nevojitet edhe për një zgjatje të procesit të integrimit për shumë vende. Megjithatë ky proces nuk varet nga metodologjia por varet nga përveshja e mëngëve nga vendet që synojnë integrimin. Kjo varet dhe nga ruajtja e kredibilitetit nga Evropa por nuk duhet të harrojmë se ka dhe një faqe tjetër në këtë histori, dhe ne duhet të ruajmë kredibilitetin”, deklaroi znj. Bregu.
Sa i takon thirrjes së bërë nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati për një pakt për Evropën në politikën shqiptare, Bregu u shpreh se, kur kërkonte një gjë të tillë në vitin 2016, u sulmua nga kolegët e saj brenda PD-së.
“Këto nuk kanë qenë ditë të lehta (debatet në Parlament në vitin 2016), Ka qenë debat i ndezur politik, dhe për pjesën time politike nuk ishin ditë të lehta sepse për paktin kombëtar që kam kërkuar në konferencë, në atë kohë dukej si blasfemi nga kolegët e mi politikë. Çelja e negociatave shton monitorimin dhe çelja nuk është për politikanët por për njerëzit”, deklaroi Sekretarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
E pyetur për një rikthim në politikë në përfundim të detyrës që mban sot, ish-deputetja e PD-së dha këtë përgjigje: “Kam nisur një detyrë e cila më pëlqen, ka tonus politik nuk është një punë teknike ku mbase nuk do të kisha arritur që të mbijetoja dot dhe është brenda profilit tim.”
Ndërsa duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ku PS dhe PD kanë arritur marrëveshje për t’u ulur në një tryezë për reformën zgjedhore, znj. Bregu u shpreh: “Nuk kam asnjë ndjesi dhe nuk kam asnjë koment. Shpresoj shumë që ulja në tryezë të mos jetë thjesht vetëm për të vendosur një paqe mes aktorëve politikë.”