Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe pedagogia Iris Luarasi kanë debatuar në lidhje me sondazhin në Euronews Albania, për besimin e shqiptarëve në institucionet ndërkombëtare.
Në emisionin “Barometri”, Manjani i kërkoi Luarasit që ta citonte në mënyrë korrekte, atë që ai tha për ambasadoren amerikane, Yuri Kim, për të cilin, sondazhi tregon që nuk është e besueshme për shqiptarët.
“Shkurtimisht, kam vetëm një gjë. Unë jam shumë serioz kur bëj analizë mbi bazën e sondazhit. Është tjetër gjë mendimi im, tjetër gjë mendimi i sondazhit. Ky sondazh ka një titull, besueshmëria, ambasada SHBA, Yuri Kim, ka dhe foton aty brenda.
Kur të më citoni mua, më citoni tamam, Yuri Kim është e dobët, pikë. Zonja Luarasi tha që e ngatërrova unë, ja ku e ke. Unë i referohem faktit, lexoje aty, mos më keq-cito. Ambasadorja më e keqe, e thotë populli, jo unë.
Ndërsa, Luarasi u shpreh se është e drejta e Manjanit që ta lexojë në formën e tij rezultatin e sondazhit.
“Tani, mos e degjenero muhabetin. Këtu kemi ardhur për të debatuar dhe unë të citova atë që ti the dhe që e the absolutisht gabim. Ambasadorja më e keqe që njerëzit e kanë besuar më shumë se të gjitha partitë politike në Shqipëri, nëse ti do që ta lexosh në këtë formë, ke të drejtën tëndë të lexosh si të duash sondazhet”, u përgjigj Luarasi.
Shqiptarëve ju ngjallin më shumë besim ndërkombëtarët se sa institucionet shtetërore.
Të pyetur nga Barometri në Euronews Albania, Ambasada Amerikane renditet e para si institucioni me besueshmërinë me të lartë me 33.2% pasuar nga delegacioni i BE me 30.7% dhe OSBE me 23%.
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim është më e besueshme për votuesit e së majtës ku 59.1% e besojnë, 31% janë neutralë dhe vetëm 8.7% nuk i besojnë. Nga ana tjetër demokratët kanë krejt qasje tjetër pasi vetëm 15.8% e tyre e besojnë ambasadoren, 29.4% janë neutral dhe 53.8% e votuesve të PD-së nuk e besojnë.
LEXONI GJITHASHTU
- Manjani: Sondazhin çojani DASH-it, Kim është më e keq-kuotuara nga shqiptarët
- Patozi: Nuk është gabim që shqiptarët besojnë te të huajt, jemi në sistem autokratik