Kreu i PL-së, Ilir Meta, reagoi nga qelia e tij në lidhje me praninë e mbështetësve të Erion Veliajt para SPAK dhe në lidhje me atë që thuhet se policia refuzoi masat shtesë për garantimin e situatës.
Sipas Metës, ky është një grusht shteti kundër grushtit të shtetit. Ai thotë se reforma është kapur nga kryeministri Rama, ndërsa qëndrimet e tij ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, i cilëson si personale dhe jo kundër insitucionit në vetvete.
Meta thekson se anëtarët e PL-së nuk kanë protestuar para SPAK, por kanë reaguar kundër mënyrës se si ai u arrestua forcërisht.
Ai akuzon Kryeministrin Rama për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe për përdorimin e institucioneve në funksion të interesave të tij politike.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin dhe dhunën e orkestruar të Narkoshtetit ndaj GJKKO, të urdhëruar drejtpërdrejt nga Kreu i Organizatës, Edi Rama,” deklaroi Meta.
Sipas tij, sjellja e policisë dhe e përfaqësuesve të institucioneve publike përbën një cenim të pavarësisë së drejtësisë.
“Rrethimi i GJKKO me policë e nëpunës bashkiakë dhe refuzimi zyrtar i Narkopolicisë për garantimin e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte një ‘grusht shteti’ kundër grushtit të shtetit,” theksoi ai.
Meta shtoi se reforma në drejtësi ka qenë e kapur që në fillim dhe se ajo nuk ka sjellë drejtësi të vërtetë.
“Vetë ‘Ramaforma’ ishte një grusht shteti sepse me vendime mbi ligjet dhe Kushtetutën, si edhe me vettingun e kontrolluar prej tij, Kreu i Organizatës e kapi të gjithë sistemin e drejtësisë,” tha ai.
Ai pretendon se veprimet e opozitës kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë ndikuar në ekspozimin e këtyre problematikave.
“Por meqë denoncimet konkrete persistente, kallëzimet penale persistente, protestat dhe presioni persistent i opozitës e arritën një rezultat, atëherë u urdhërua edhe ky ‘grusht shteti’ kundër grushtit të shtetit që Edi Rama e realizoi po vetë,” vijoi ai në deklaratën e tij.
Meta akuzoi gjithashtu SPAK-un për vonesë në reagim dhe për faktin që, sipas tij, nuk ka ndërmarrë hapa konkretë kundër shkeljeve të qeverisë.
“Pavarësisht reagimit të vonuar të GJKKO, pas 48 orësh, kjo ngjarje provon mentalitetin mafioz të Kreut të Organizatës dhe raportin e tij intimidues, shantazhues dhe kërcënues ndaj institucioneve të shtetit edhe vetë ‘Drejtësisë së Re’ që ai krijoi,” deklaroi Meta.
Ai po ashtu mohoi që Partia e Lirisë të ketë organizuar protesta të dhunshme apo të jetë përfshirë në incidente para SPAK.
“Distancohem nga të gjithë palo-analistët e financuar me paratë e inceneratorëve që këtë ngjarje kriminale përpiqen ta krahasojnë me protestën e Partisë së Lirisë para SPAK, ku asnjë anëtar apo simpatizant i saj, në asnjë moment, nuk ka ushtruar dhunë ndaj institucioneve dhe as ka vënë në rrezik jetën e prokurorëve,” theksoi ai.
Meta gjithashtu akuzoi policinë për mënyrën e tij të arrestimit, duke pretenduar se është rrëmbyer në mënyrë të paligjshme.
“U kujtoj se protesta para SPAK është shoqëruar me kallëzimin penal për rrëmbimin tim banditesk nga horra me maska, me armatim të rëndë, pa dokument identifikimi, që nuk më treguan asnjë urdhër ndalimi dhe që më shoqëruan me automjete private, të urdhëruar nga vetë Edi Rama, Altin Dumani dhe McGonigal,” tha ai.
Ndërkohë, Meta theksoi se nuk ka kërkuar organizimin e një proteste para GJKKO dhe ka bërë thirrje që mbështetësit e tij të mos reagojnë në atë mënyrë.
“Nënvizoj se Partia e Lirisë jo vetëm që nuk ka organizuar një protestë ndaj GJKKO, por ju kujtoj se unë personalisht u kam bërë thirrje publike anëtarëve dhe simpatizantëve, të mos tuboheshin për asnjë arsye para këtij institucioni, as në shenjë solidariteti me mua,” theksoi ai.
Në fund të deklaratës së tij, Meta përsëriti kritikat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar atë për favorizimin e qeverisë.
“Qëndrimet tona ndaj Dumanit nuk kanë të bëjnë me çdo prokuror të SPAK-ut, por me shërbimet e tij të neveritshme ndaj Edi Ramës dhe McGonigalit, me proceset politike ndaj drejtuesve të opozitës, me amnistimin publik që i bëri inceneratorit fantazmë të Tiranës, që e cilësoi ‘krim intelektual’,” tha ai.
Meta përfundoi deklaratën e tij duke bërë thirrje për vijimin e betejës kundër qeverisë, përmes protestave dhe denoncimeve publike.
“Duhet vazhduar me denoncimet, kallëzimet penale dhe protestat persistente për të arritur qëllim final, rrëzimin e Narkoshtetit dhe ndëshkimin e merituar të Kreut të Organizatës,” përfundoi ai.
LEXONI GJITHASHTU:
- Berisha: Vlerësoj maksimalisht çdo punonjës të SPAK që zbaton ligjin
- Mbështetësit e Veliajt u mblodhën para SPAK, reagon Meta: Grusht shteti kundër…