Basha e Meta përkujtojnë 30-vjetorin e mësymjes në ambasada: Koha të përmbushim ëndrrën, Shqipëria si Evropa

2 Korrik 2020 | 07:13

Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kujtuan të enjten ngjarjet e 2 korrikut 1990 kur rreth 3,200 shqiptarë mësynë Ambasadën gjermane në Tiranë për “një jetë të re në liri”.

“Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Evropë,” – shkroi në Facebook Presidenti.

“30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane,” – tha Meta teksa rikujtoi se presidenca gjermane e BE-së është mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë.

“Shumë të rinj sot, të lirë për të udhëtuar kudo në Europë, e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodhi ato ditë të nxehta korriku në Tiranë. Të tjerë, në moshë më të madhe i kane ende të freskëta në kujtesë ngjarjet e Rrugës së Ambasadave, pasigurinë për të ardhmen e atyre që ishin brenda dyerve, padurimin për t’u larguar drejt perëndimit të ëndërruar, apo dyzimin dhe frikën e të tjerëve që shihnin nga larg se si regjimi po shkërmoqej,” – u shpreh kryetari i PD-së, Basha, i cili kujtoi se 10 vite më parë shqiptarët siguruan lëvizjen e lirë pa viza në Evropë.

Kryetari i PD-së bëri thirrje që 2 korriku 1990 “të jetë shtysë dhe frymëzim për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve, për të rrëzuar çdo mur që mban larg Europës”.

Ngjashëm bëri thirrje dhe Meta, i cili u shpreh mirënjohës për shqiptarët që me guximin e tyre në vitin 1990 i dhanë Shqipërisë një drejtim të ri.

“Koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari: Shqipëria si gjithë Evropa! Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre,” – theksoi Presidenti.

Pas ngjarjeve në Rumani dhe Gjermaninë Lindore gjatë vitit 1989, ku rrëzimi i murit të Berlinit dhe vrasja e Çausheskut i dhanë fund regjimeve komuniste atje, mijëra shqiptarë të trysnuar nga gjendja e vështirë ekonomike dhe politike që po kalonte vendi nën regjimin e Ramiz Alisë, mësynë ambasadat e vendeve perëndimore duke kërkuar largim nga vendi.

Ajo që në histori tashmë njihet si “eksodi” apo “ngjarja e ambasadave” kulmoi më 2 korrik 1990 kur nga ambasadat kryesore, ajo e Gjermanisë dhe Italisë pritën në mjediset e tyre pjesën dërrmuese të të rinjve që kapërcyen muret.

Zyrtarisht komunizmi në Shqipëri ra pas lejimit të pluralizmit disa muaj më vonë dhe kur grevat e protestat e studentëve nxitën demonstrata masive, të cilat çuan në rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha, rrëzuan qeverinë e asaj kohe dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026