Misteret e vendbanimit më të vjetër liqenor në Evropë, çfarë është ‘perla’ e Linit?

17 Korrik 2025 | 13:12

Një zbulim arkeologjik në brigjet e Liqenit të Ohrit, në fshatin Lin të Shqipërisë, po cilësohet si i jashtëzakonshëm. Arkeologët besojnë se kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër të ndërtuar ndonjëherë në një liqen në Evropë, me origjinë që daton deri në 8,000 vjet më parë.

Sipas Reuters, ekipet e kërkimit nga Zvicra dhe Shqipëria po zbulojnë çdo ditë dëshmi të një komuniteti të organizuar që ka jetuar në këtë zonë në epokën e gurit, duke kombinuar aktivitetet e gjuetisë me ato të bujqësisë.

Arkeologët punojnë rreth tre metra nën sipërfaqen e ujit për të rikuperuar me kujdes shtyllat prej druri që dikur mbështesnin shtëpitë mbi liqen. Në të njëjtën kohë, po mblidhen objekte qeramike të gdhendura, eshtra kafshësh dhe vegla prej bakri – dëshmi të një jete të zhvilluar dhe të organizuar.

Albert Hafner, profesor në Universitetin e Bernës, thotë se “vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por vendbanimet në fshatin Lin janë gjysmë mijëvjeçar më të vjetra, duke datuar 6,000 dhe 8,000 vjet më parë”.

“Meqenëse është nën ujë, materiali organik është i ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë,” – tha Hafner për Reuters.

Studime të shumta konfirmojnë se Liqeni i Ohrit, që ndahet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është liqeni më i vjetër në Evropë, me një histori prej mbi një milion vitesh.

Datimi i vendbanimit është bërë përmes analizës me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, duke studiuar mbi një mijë mostra druri të mbledhura në këtë zonë. Sipas arkeologëve, vendbanimi mund të ketë strehuar disa qindra banorë në një hapësirë prej gjashtë hektarësh, megjithëse deri tani është gërmuar vetëm 1% e territorit, pas gjashtë vitesh pune.

Hafner thekson se këta banorë të hershëm mund të kenë luajtur një rol kyç në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Evropës.

Ndërkohë, arkeologu shqiptar Adrian Anastasi nënvizon rëndësinë dhe kompleksitetin e vendbanimit:

“Nga mënyra se si kishin jetuar, ngrënë, gjuajtur, peshkuar dhe nga mënyra se si arkitektura ishte përdorur për të ndërtuar vendbanimin e tyre, mund të themi se ishin shumë të zgjuar për atë kohë.” -tha Anastasi.

Zbulimi në Lin mund të ndryshojë tërësisht mënyrën se si kuptohet jeta e lashtë në Ballkan dhe në kontinentin evropian në përgjithësi.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përkujtohet 90-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja, Kurti: Pa të, kultura jonë do të ishte më e varfër

Në 90-vjetorin e lindjes, akademik Rexhep Qosja u përkujtua si një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Në një ligjëratë kushtuar jetës dhe...
21:33 | 25/06/2026

Pittard rikthen përmes fotografisë Shqipërinë e një shekulli më parë

Fotografitë e realizuara në Shqipëri në vitin 1921 nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard janë sjellë për publikun korçar në një ekspozitë të veçantë...
21:45 | 24/06/2026

Dorëshkrimi i panjohur i Mozartit zbulohet në Francë, shtatë vepra të reja dëgjohen për herë të parë

Një zbulim i jashtëzakonshëm në botën e muzikës klasike ka sjellë në dritë një dorëshkrim të panjohur më parë të Mozartit, i cili përmban shtatë...
19:32 | 24/06/2026