Moscertifikimi i listës serbe, vjen reagimi i parë nga Serbia

21 Gusht 2025 | 20:41

Serbia e ka dënuar “fuqishëm” vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës për moscertifikimin e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç.

Në një mbledhje të mbajtur të enjten pasdite, anëtarët e komisionit zgjedhor nuk votuan për certifikimin e saj pas ankesave të dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Njëri nga anëtarët, Sami Kurteshi, tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Në një shkrim në Facebook, Gjuriç tha se Serbia i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë në “mënyrë vendimtare” ndaj vendimit të KQZ-së.

“Heshtja përballë një shtypjeje të tillë do të barazohej me bashkëfajësi”, shkroi ai.

Ai e cilësoi vendimin e KQZ-së si “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

“Duke refuzuar kandidaturat e dorëzuara në mënyrë të rregullt, të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë edhe një herë kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë – të heshtin zërin legjitim të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, shkroi ai.

Vendimi u përshendet nga ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lista Serbe “në mënyrë të përsëritur ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës”.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së.

PZAP e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së muaj me parë për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në votime.

Në prag të mbledhjes së KQZ-së, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

 

LEXONI GJITHASHTU:

KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Raiffeisen Bank Shqipëri vlerësohet me tre çmime nga Euromoney Awards for Excellence 2026

Raiffeisen Bank Shqipëri është vlerësuar me tre nga çmimet më prestigjioze ndërkombëtare të industrisë bankare në kuadër të Euromoney Awards for Excellence 2026, duke u...
14:09 | 17/07/2026

Rama: Nëse do të ishim lavatriçe parash të pista, nuk do të mbyllnim kapituj me Bashkimin Europian

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend, për të promovuar dhe diskutuar ecurinë e...
14:04 | 17/07/2026

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Programi më ambicioz i qeverisë për bizneset e vogla

Kryeministri Edi Rama foli këtë të premte në prezantimin e programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, të cilin e cilësoi si programin më ambicioz të mbështetjes së...
13:02 | 17/07/2026