Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho në studion e Ilva Now në Euronews Albania foli lidhur me situatën e nxehtë politike të momentit pas vendimit të presidentit të republikës për të kallëzuar penalisht ministren e drejtësisë për grusht shteti dhe thirrjes për tubim popullin më 2 mars.
E pyetur lidhur me qëndrimin që do të mbajë LSI lidhur me këtë vendim të presidentit, znj. Xhixho tha se thirrja e presidentit i drejtohet çdo qytetari në një vend ku sipas saj kushtetuta është kthyer në një paçavure të qeverisë dhe shkelet me ligje antikushtetuese.
Erisa XhixhoI tha se do të bëhej pjesë e tubimit të presidentit jo si nënkryetare e LSI, por si qytetare dhe si juriste pasi sipas saj mazhoranca po kërkon ta kapë Gjykatën Kushtetuese për të legjitimuar shkeljen e Kushtetutës.
“Unë mund të flas si qytetare shqiptare, këtë tubim e shoh si një thirrje qytetare në një vend ku Kushtetuta është bërë tashmë një paçavure e kësaj mazhorance, shkelet me ligje antikushtetuese.
Mazhoranca përmes shkresave dhe falsifikimeve do të vjedhë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, një institucion që mbron të drejtat e njeriut.
Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i rëndësishëm që nuk ka qenë para viteve ’90, në komunizëm kur nuk kemi pasur të drejtat e njeriut, është një institucion që mbron të drejtat e njeriut.
Vetë Kushtetuta parashikon një radhë për vendosjen apo emërtesën e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që të kemi balancë dhe të mos kemi një mazhorancë që vë gjithë anëtarët kushtetues në një ngjyrim politik. Pra presidenti sipas radhës, më pas kuvendi dhe Gjykata e Larta, pra janë këta 3 institucione. Kjo radhë është shkelur, por në shkresat dhe faktimet që ka bërë presidenti, vetë anëtari dhe kryetari i KED dhe ministrja e Drejtësisë kanë votuar në botimet e fletores zyrtare, botimin e një vendimi të KED për ta bërë fakt të kryer dhe për vjedhur një kompetencë të presidentit në emërtimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, – tha nënkryetarja e LSI.
E pyetur lidhur me rrezikun që mund të ketë ky tubim në kohën kur vendi është në panik nga coronavirusi, znj. Xhixho shprehu bindjes së asnjë rrezik nuk do të shfaqte një tubim në ambient të hapur, ndërsa shtoi se më shumë rrezikohej PS me kongresin e saj në një sallë të mbyllur.
“Nga informacionet që mora edhe nga mjekë të specializuar, coronavirusi ka më shumë probabilitet të ndodhë në kongresin e PS, që është me dyer të mbyllura se sa në tubimin e presidentit. Nga ana tjetër, edhe qasja e kësaj mazhorance që nuk ka transparencë lidhur me këtë situatë, por ka propagandë për të fshehur të vërteta e të tjera me radhë. Në sheshe të hapura nuk ka rrezik, rrezik më të madh ka tek PS”, – tha znj. Xhixho.