Nga Katedralia “Ngjallja e Krishtit”: Mesazhi i Kryepeshkopit Joani për Pavarësinë

28 Nëntor 2025 | 11:12

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt sot Dhoksologjia e Flamurit, e drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryepeshkopi përcolli një mesazh urimi, por edhe përgjegjësie ndaj vendit, duke theksuar se Zoti e ka bekuar Shqipërinë me çdo të mirë, ndërsa njerëzit kanë detyrën ta kujdesin dhe ta zhvillojnë.

“Në kishë ne themi vazhdimisht, përsëri dhe përsëri në paqe le t’i lutemi Zotit. Pse i përsërisim vazhdimisht? Sepse mund t’i harrojmë dhe Kisha në urtësinë e saj na ka mësuar që shumë gjëra duhet t’i përsërisim. Sot, ne bëjmë një Dhoksologji të Flamurit. Pse kemi vendosur shërbesa të tilla, për dy arsye. E para për të falenderuar Perëndinë. E përsërisim se kemi shumë arsye për ta falenderuar, na ka dhënë një vend të bukur që ka gjithçka dhe jemi në këtë pjesë të globit si kujdestarë të kësaj pasurie, i Zotit është dheu e gjithçka që ndodhet në të, gjë që do të thotë se pronari i të gjithë dheut është Zoti,” tha ai.

Kryepeshkopi ndaloi te përgjegjësia qytetare dhe roli i secilit në zhvillimin e vendit:

“Ne jemi kujdestarët, përgjegjësia jonë është të jemi kujdestarë të mirë, të mundohemi ta lulëzojmë dhe bekojmë këtë vend. Nëse e bëjmë një vend të mirë, ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe harmoni, padyshim që nuk do të largohen shumë njerëz. Gjithmonë ka një arsye që disa mund të largohen, por një largim masiv nuk do të ndodhë nëse do të jemi kujdestarë të mirë të këtij vendi që na ka besuar Perëndia.”

Ai vijoi me një thirrje për bashkim dhe përkushtim ndaj atdheut:

“E falenderojmë Perëndinë për gjithçka na ka dhënë, por kemi edhe përgjegjësinë për këtë gjë, e të gjithëve. Gjithësekush në vendin ku punon mundohet ta lulëzojë këtë vend. Atdhetari i vërtetë është ai njeri që lulëzon vendin e tij. Në këtë ditë do të uroja të gjithë ju, gëzuar dhe përshumëvjet këtë ditë të bekuar. Perëndia ta bekojë popullin tonë, vendin dhe të përhapë paqen jo vetëm në vendin tonë por edhe në të gjithë botën,” u shpreh Fortlumturi Joani.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dedaj: Spiropali do ministri, po bën presion për të kapur post në PS

Gazetari Reldar Dedaj i ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me mocionin e dorëzuar në Asamblenë...
22:16 | 17/07/2026

“PD të reflektojë”, Nurellari: Ka humbur zgjedhjet e s’bën mbledhje për Këshillin Kombëtar

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me situatën në Partinë Demokratike....
21:45 | 17/07/2026

Kuçana sqaron rezolutën që i nisi Berishës: Ne duhet të reagojmë si parti

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana e ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur...
21:28 | 17/07/2026