Ngrirja e ndihmave amerikane për vendet e huaja trondit Ukrainën

4 Shkurt 2025 | 17:23

Vendimi i Presidentit Donald Trump për të ngrirë shumicën e ndihmave amerikane për vendet e huaja i ka vënë në një pozitë të vështirë organizatat ukrainase që ofrojnë ndihma humanitare dhe shërbime të tjera.

Siç njoftojnë gazetaret e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze nga Varshava dhe Anna Chernikova nga Kievi, qeveria ukrainase, shoqëria civile dhe media varen kryesisht nga ndihmat e huaja.

Qendra e Veteranëve ofron mbështetje psikologjike dhe sociale për veteranët e luftës në Ukrainë dhe familjet e tyre. Drejtuesit thonë se urdhri i administratës së Presidentit Trump për të ngrirë ndihmat për vendet e huaja i detyroi ata të mbyllnin zyrën në qytetin Vinnytsia. Zyra qendrore në Kiev vazhdon të funksionojë falë donatorëve privatë.

Ivona Kostyna drejton Qendrën e Veteranëve. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se ngrirja e fondeve nga Uashingtoni ishte e papritur dhe goditi rëndë projektin.

“Ndalimi i fondeve do të thotë ndërprerje e operacioneve tona. Nënkupton ndalimin e rrogave dhe të kthimit të njerëzve në punë”.

Menjëherë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump urdhëroi një ngrirje 90-ditore për të rivlerësuar ndihmën amerikane për vendet e huaja. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar lidhur me ndihmën për Ukrainën.

Një deklaratë e Departamentit të Shtetit për ngrirjen e fondeve thotë se: “Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më fonde që nuk sjellin përfitime për popullin amerikan”.

Ngrirja e fondeve amerikane tronditi organizatat humanitare në Ukrainë. Pas tre vitesh luftë, qeveria ukrainase, shoqëria civile dhe media varen kryesisht nga ndihmat e huaja.

Ukrainasi Bohdan Logvynenko, themelues i projektit të pavarur multimedial “Ukrainer”, thotë për Zërin e Amerikës se shumica e fondeve për projektin vinin nga programet e ndihmave amerikane.

“Po shkurtojmë punonjës dhe reduktojmë nivelin e punës pasi ishin disa programe që na mbështesnin në të njëjtën kohë”.

Ai thotë se ngrirja e fondeve amerikane shkon përtej medias së pavarur.

“Ndikimi është i lartë. Ndihmat për median janë një pikë uji në oqean. Mbështetja ekonomike ka një ndikim të madh dhe ndërprerja forcon pozitat e Rusisë”.

Agjencia amerikane për ndihmat thotë se i ka dërguar Ukrainës më shumë se 7.6 miliardë dollarë në ndihma humanitare dhe ekonomike që nga fillimi luftës.

Denys Bihus, me projektin e medias investigative “Bihus.info”, thotë se ndërprerja e ndihmave amerikane do të dëmtojë sektorin publik. Organizatën e tij e shqetëson fati i programeve shtetërore që mbështeteshin kryesisht tek këto fonde.

“Përfituesi ynë kryesor është shteti i Ukrainës, që përfaqësohet nga komunitetet lokale ose drejtpërdrejt nga aparati shtetëror”.

Analisti Doug Klain thotë se pjesa më e madhe e ndihmave amerikane kishin për qëllim ta mbanin të fortë qeverinë dhe shoqërinë ukrainase, si dhe programet për llogaridhënien qeveritare.

Zoti Klain beson se aktivizimi i programeve do të forconte politikat e administratës së Presidentit Trump dhe do të krijonte një Ukrainë më të fuqishme.

“Trumpi kërkon ta detyrojë Putinin që t’i japë fund pushtimit të Ukrainës dhe synon të arrijë atë që e quan ‘paqe përmes forcës’. Një Ukrainë e fortë që mund të manovrojë është çelësi i kësaj”.

Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelenskyy udhëzoi qeverinë që t’u japë përparësi programeve më kritike që mbështeteshin tek fondet amerikane dhe të mbulojë nevojat e tyre përmes buxhetit kombëtar ose burimeve alternative nga ndihmat e huaja.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026