Një Artemisë në Durrës? Statuja në bronz, zbulimi i fundit në Forumin Bizantin

28 Qershor 2022 | 19:19

Një statujë e vogël në bronz është gjetja më e fundit e ekspeditës shqiptaro-franceze në Forumin Bizantin të Durrësit. Mendohet të jetë perëndesha Artemisë.

Arkeologia franceze Catherine Abadie Reynal tregon se statuja e vogël, ende e mbuluar nga shtresat e kohës, pritet t’i nënshtrohet trajtimeve të posaçme.

“Ka shumë gjetje, të tipeve nga më të ndryshmet. Këtu po ju tregojmë një statujë të vogël bronzi, ndoshta një perëndeshë. Objekti është ende i papastruar, sepse tani sapo u gjet. Ka nevojë për pastrim, trajtim dhe konservim, por dallohet qartazi që kemi të bëjmë me një personazh femëror. Për nga tiparet e lëvizjes dhe veshjes mund të jetë perëndesha Artemisë, që na bën të kujtojmë sanktuarin e famshëm të Durrësit, për të cilin ka projekte studimore në vazhdim”, u shreh ajo.

Arkeologia rrëfen edhe për 2 gjetje të tjera mjaft të rëndësishme, të cilat vijnë sot si dëshmi e zjarrit shkatërrimtar që dogji qytetin antik.

“Kemi arritur të kapim nivelet e periudhës romake, më konkretisht janë dy shtresa nivele banesash, të shekullit II dhe III pas Krishtit. Të dyja banesat janë shkatërruar si pasojë e zjarreve masive, ku duken qartë gjurmët e djegieve që kanë shkatërruar banesat. Të frikësuar nga flakët, banorët nuk kanë pasur mundësi të marrin me vete objektet e përdorimit të përditshëm apo ato të kultit. Duken edhe trarët mbajtës të shtëpisë, të karbonizuara, si elementë shumë të rëndësishëm arkeologjik për të kuptuar funksionimin e ndërtimit”, tha Reynal.

Forumi Bizantin, një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit, krahas funksionit parësor për të cilin u ndërtua, ka pësuar transformime të shumta në rrjedhën e shekujve.

“Nga fundi i shekullit VII deri në shekullin XIV kemi gjetur të gjitha gjurmët e formave të ndryshme të ripërdorimit të strukturave të këtij monumenti, në funksione të ndryshme, brenda qytetit mesjetar. Muret ekzistuese të Forumit Bizantin janë ripërdorur në forma të ndryshme banimi, duke ngritur nivelet e përdorimit, etj”, theksoi arkeologia Brikena Shkodra.

Gërmimet e ekspeditës shqiptaro-franceze rinisën pas dy vitesh ndërprerjeje, për shkak të pandemisë së Covid-19. Bashkëpunimi ka nisur që në vitin 2012 dhe ka për qëllim të hedhë më shumë dritë mbi topografinë e Epidamne-Dyrrachion, apo e thënë ndryshe Durrësit antik.

LEXONI GJITHASHTU

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Samiti i NATO-s në Ankara, liderët botërorë bëjnë foton familjare

Këtë të mërkurë po vijojnë punimet për samitin e NATO-së teksa prej dy ditësh liderët dhe fokusi botëror është përqëndruar në Ankara. Në ditën e...
11:31 | 08/07/2026

Zjarr masiv në Porto Palermo

Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë në orët e mbrëmjes në zonën e Porto Palermos, në Bashkinë Himarë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit,...
23:15 | 07/07/2026

Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU

AKU ka bërë me dije se, në bashkëpunim ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk, është raportuar një rast i dyshuar helmimi i disa kursantëve...
10:41 | 26/06/2026