Nxënësi shqiptar triumfon në Olimpiadën Botërore në SHBA, medalje ari në Matematikë

19 Janar 2026 | 15:51

Talenti i tij u dallua mes qindra bashkëmoshatarëve nga e gjithë bota. Nxënësi i klasës së nëntë nga Cërriku, Loris Qose, arriti të fitojë medaljen e artë në Matematikë dhe medaljen e bronztë në Kimi në Olimpiadën Botërore “Neo Science”.

Nga gara te podiumi, për Lorisin, gjithçka ishte shpërblim i një pune të gjatë dhe të përkushtuar.

“Të ngresh flamurin shqiptar në atë skenë në Amerikë është një nga krenaritë dhe nderet më të mëdha që një nxënës duhet ta provojë njëherë në jetë. Emocionet që ndjeva atë ditë ishin shumë të bukura, kur u ngrita dhe hapa flamurin. Së pari, kam marrë një medalje të artë si nxënësi më inteligjent i Qarkut të Elbasanit; së dyti, medalje bronzi në olimpiadën kombëtare; së treti, u rendita i dyti në Olimpiadën e KAM-së; dhe së katërti e së pesta janë çmimet që mora tani. Medaljen e parë në matematikë “Ar mbi Ar” e fitova falë përkushtimit dhe talentit tim. Talentin në matematikë e zbuloi mësuesja ime në klasën e 6-të, e cila më motivoi shumë dhe më dha mësime mbi nivelin e klasës sime. Për matematikën studioj nga 6 deri në 8 orë në ditë. Dua që studimet e larta t’i vazhdoj në SHBA, dhe pasi të kem arritur një karrierë dhe emër atje, të kthehem në Shqipëri për të kontribuar në zhvillimin e vendit tim”, thotë Loris Qose.

Suksesi i tij nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e mësueses Flutura Hoxholli, e cila zbuloi talentin e Lorisit që në klasën e gjashtë dhe punoi intensivisht me të.

“Jam shumë krenare, por kjo arritje është vetëm rezultat i një pune të madhe që kemi bërë deri tani. Kemi katër vite që punojmë për këtë ditë dhe ia arritëm. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi punuar me objektiva të qarta. Kur erdhi dita e parë në klasën e gjashtë, e kapa në qafë dhe i thashë: ‘Hajde, Ajnshaini im i vogël!’ Një ditë më solli 26 faqe me ushtrime. Duke parë këtë përkushtim, filluam të punonim njëkohësisht matematikën e klasës së gjashtë dhe të klasës së shtatë. I vunë vetes detyrë që, në fund të klasës së shtatë, të përfundonte programin e klasës së nëntë. Ai e bëri provimin dhe mori 46 pikë nga 50 të mundshme. Kemi përfunduar matematikën sipas kurrikulës së vjetër, që ka më shumë informacion, dhe falë gjithë kësaj pune, ka ardhur kjo arritje. Në radhë të parë duhet të punojë mësuesi. Nëse mësuesi nuk zbulon talentin dhe nuk punon me të, nuk arrihet asgjë. Ministria duhet t’u japë shkollave që kanë talente disa orë shtesë për të punuar me këta nxënës, sepse ne nuk kemi këto kushte dhe jemi detyruar të punojmë privatisht”, shprehet Flutura Hoxholli, mësuese e shkollës “7 Marsi”, Cërrik.

Me medaljet në duar dhe vlerësimin ndërkombëtar, Loris Qose është tashmë një shembull frymëzues se talenti, puna dhe përkushtimi mund ta çojnë një nxënës nga një qytet i vogël drejt skenës botërore të shkencës. Gara ndërkombëtare u zhvillua në Orlando, SHBA, ku juria vlerësoi përgatitjen, logjikën dhe nivelin e lartë shkencor të pjesëmarrësve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vritet një polic gjatë një operacioni në Maliq, plagoset një tjetër

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit, ku sipas informacioneve paraprake një efektiv policie ka humbur jetën dhe...
08:13 | 04/06/2026

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026