Osmani takon partitë parlamentare në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin në Kuvend
Presidentja Vjosa Osmani do t’i nisë sot takimet me partitë parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar ngërçin politike, pas dështimeve të njëpasnjëshme të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Osmani do të takohet fillimisht me partitë shqiptare në orën 13:00, para se të zhvillojë bisedime me pakicat në orën 15:00.
Takimi vjen në ditën kur deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin as në tentimin e gjashtëmbëdhjetë – pikërisht një muaj pasi filluan përpjekjet – për shkak të ndarjeve politike. Konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të hapur rrugë për formimin e Qeverisë së re.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Për krijimin e institucioneve të reja nevojitet arritja e ndonjë marrëveshjeje politike, duke parë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Vetëvendosje i ftoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, koalicioni AKK-NISMA 8, Lista Serbe 9, Partia për Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe pakicat joserbe 10.
Osmani paralajmëroi të martën se mund të ketë një sërë takimesh mes saj dhe partive politike, varësisht se si shkojnë bisedimet të enjten.
Ajo tha se moskonstituimi i Kuvendit e rrezikon “pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve që është edhe arsyeja pse i kam ftuar liderët që të diskutojmë rrugën përpara”.
“Si institucion i Presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese, sepse, siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha ajo.
Ndërkohë, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se “në krizën aktuale, e vetmja rrugëdalje është angazhimi i fuqishëm i Perëndimit, pra i Evropës.”
“Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha krizat e mëparshme që nga viti 2010, ky angazhim mungon, sepse politika perëndimore, ajo e BE-së ndaj Kosovës, ndodhet në një fazë kalimtare të një vakumi strategjik pas rrënimit të plotë të dialogut politik dhe mungesës së udhëheqjes nga kryeqytetet e shteteve anëtare më të rëndësishme. Për këtë arsye, më duket se kjo krizë politike dhe institucionale është më e thella që nga shpallja e pavarësisë”, tha ai.
Sipas tij, kriza aktuale institucionale në Kosovë është, nga njëra anë, rezultat i përshkallëzimit të marrëdhënieve mes partisë në pushtet në largim, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe partive opozitare – për të cilën, krahas Qeverisë Kurti, “përgjegjësi të madhe mbajnë edhe bartësit e dialogut politik gjatë katër viteve të fundit, pra nisma franko-gjermane dhe veçanërisht Gjermania; dhe nga ana tjetër, kjo krizë rrjedh nga karakteri i papërfunduar i rendit politik, institucional e kushtetues të Republikës së Kosovës – për të cilin përgjegjës janë të gjithë aktorët: elitat politike vendore dhe aktorët perëndimorë që në vitet 2007-2008 ishin të përfshirë në procesin kushtetues”.
“Kjo papërfundueshmëri e sistemit politik e institucional del në pah sa herë që vendi përballet me kriza të rregullta politike”, vlerësoi ai.
Në prag të takimit të së enjtes, Osmani u takua me të ngarkuarën me punë të Ambasadës e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Anu Prattipati
Presidenca tha në një njoftim për media se ky ishte takim i rregullt mes tyre dhe se në të u diskutua për “rëndësinë e konstituimit sa më parë të institucioneve të Kosovës dhe për pasojat me të cilat përballet vendi ynë për shkak të kësaj zvarritjeje”.
Serbia arreston në kufi 73-vjeçarin nga Kosova për krime lufte, familjarët hedhin poshtë akuzat
Prokuroria Speciale ngre aktakuza ndaj 6 ish-gardianëve serbë për krime lufte kundër shqiptarëve
Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë
- 22:26 Sagnol: Michael Olise është futbollisti më i mirë në botë, meriton “Topin e Artë”
- 22:24 Çollaku komenton Kuvendin Kombëtar të protestës: Është kurth për ta shuar
- 22:23 Zvicra kalon në 1/8 e finales, mposht bindshëm Algjerinë me dy gola në Vancouver
- 22:23 E pabesueshme! Prekja e topit me flokë i mohoi Kroacisë barazimin ndaj Portugalisë
- 22:17 Harry Kane thyen rekorde, por jo tregun: pse një nga futbollistët më të mëdhenj të botës nuk është një supermarkë?
- 22:15 Atentati ndaj Donald Trump në 2024! Publikohet raporti që zbulon dështimet operacionale nga Shërbimi Sekret