Përditësime LIVE 1 mars: Dita e gjashtë e sulmit rus në Ukrainë

1 Mars 2022 | 00:14

Sot është dita e gjashtë e luftimeve në Ukrainë që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion ushtarak” në mëngjesin e 24 shkurtit.

Zhvillimet kryesore:  

  • Rusia ka sulmuar të martën me raketa antenën televizive të Kievit, duke shkëputur përkohësisht transmetimin e kanaleve, konfirmoi qeveria ukrainase.
  • Të paktën 5 persona kanë humbur jetën pas sulmit me raketa në antenën televizive të Kievit, ka konfirmuar shërbimi emergjencave të Ukrainës.
  • Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë paralajmëruar banorët e Kievit se po përgatiste  një sulm ‘me precizion të lartë’ kundër qendrave teknologjike të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës dhe qendrës së 72-të kryesore PsyOps në Kiev”.
  • Presidenti Volodymyr Zelensky u përcoll me ovacione pas një fjalimi prekës në Parlamentin Europian ku i kërkoi Europës të mos heqë dorë nga Ukraina dhe të pranojë kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE.
  • Diplomatët braktisin Konferencën për Çarmatimin të OKB për të bojkotuar fjalimin e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov.
  • Një autokolonë ushtarake ruse mbi 65 kilometra e gjatë ndodhet në periferinë e Kievit, sipas pamjeve të kapura nga satelitët.

21:30 – 80 mijë ukrainas u kthyen nga jashtë që nga dita e pushtimit rus

Sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës shumica e qytetarëve që u kthyen në Ukrainë pas 24 shkurtit ishin burra që iu bashkuan Forcave të Armatosura dhe Forcave të Mbrojtjes së Territorit.

21:16 – Scholz: Është vetëm fillimi, situata në Ukrainë do bëhet dramatike

Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Ukrainë.

21:12 – Biden thekson mbështetjen e SHBA në telefonatën me Zelensky

Telefonata midis presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky ka zgjatur rreth 30 minuta.

20:56 – Britania i vendos sanksione Bjellorusisë

Britania i ka vendosur sanksione individëve dhe organizatave bjelloruse për shkak të rolit të tyre në pushtimin e Ukrainës, njoftoi të martën sekretarja e jashtme Liz Truss.

“Regjimi i Lukashenkos ndihmon në mënyrë aktive pushtimin e jashtëligjshëm të Rusisë dhe do të vuajë pasojat ekonomike për mbështetjen ndaj Putin”, deklaroi Truz.

20:43 – Autoritetet apel qytetarëve në Kiev të qëndrojnë në strehime të nëndheshme

Qytetarëve të Kievit iu është kërkuar që mbrëmjen e së martës të qëndrojnë në strehime të nëndheshme pas sulmit me raketë ku humbën jetën të paktën pesë persona.

18:20 – Zelensky i kërkon Biden të japë mesazh të fortë në Kongres

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar homologut të tij amerikan, Joe Biden që të japë një mesazh të fortë dhe të dobishëm për pushtimin e Ukrainës nga Rusia në fjalimin që do të mbajë këtë të martë në Kongres.

17:53 – Të paktën 5 viktima nga sulmi në antenën e Kievit

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën dhe 5 janë plagosur pas sulmit me raketa të antenës televizive të Kievit, ka konfirmuar shërbimi emergjencave të Ukrainës.

17:01 – Blinken kërkon përjashtimin e Rusisë nga UNHCR

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Rusia duhet të përjashtohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHCR), teksa dënoi abuzimet e Rusisë, shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe të ligjeve ndërkombëtare humanitare, si rezultat i sulmit për pushtimin Ukrainës.

16:24 – Bombardohet antena në Kiev, ndërpritet transmetimi i kanaleve televizive

Rusia ka sulmuar të martën antenën televizive të Kievit. Si pasojë, është ndërprerë transmetimi i të gjitha kanaleve.

Kryetari i bashkisë Kiev, Vitali Klitschko, deklaroi në Twitter se “antena televizive e Kievit është dëmtuar nga dy raketa”.

15:42 – Në cilat qytete të Ukrainës po ndodhin luftimet?

Prej 6 ditësh Rusia po sulmon një pjesë të mirë të territorit të Ukrainës, kryesisht me raketa dhe sulme ajrore. Luftimet kanë lënë qindra civilë të vdekur, mes tyre fëmijë.

15:32 – Von der Leyen: E ardhmja e kontinentit është në rrezik

Pushtimi rus i Ukrainës është “një moment i së vërtetës për Evropën” dhe e ardhmja e kontinentit është në rrezik, thotë shefja e BE-së Ursula von der Leyen.

15:08 – Rusia paralajmëron sulme me ‘precizion të lartë’ në Kiev

Ministria ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim për banorët e Kievit se po përgatitet të godasë objektivat në kryeqytetin ukrainas.

14:57 – SHBA e distancuar: Bllokimi i hapësirës ajrore nënkupton luftë me Rusinë

Shtëpia e Bardhë është përgjigjur me distancë dhe ftohtë propozimit të presidentit ukrainas Zelensky për mbyllje të hapësirës ajrore për fluturimet e Rusisë mbi territorin e Ukrainës.

14:30 – Lufta e rrjeteve sociale – nga dezinformimi tek videot e rreme

Vitet e fundit, rrjetet sociale kanë shërbyer si një dritare në realitetin e konflikteve të armatosura në të gjithë botën dhe lufta Rusi-Ukrainë nuk mund të bënte përjashtim.

14:19 – Shqiptarë e të huaj duan t’i bashkohen luftës në Ukrainë

Disa shtetas shqiptarë kanë shfaqur interes për t’iu bashkuar luftës për liri në Ukrainë, thonë burime nga ambasada ukrainase në Tiranë. Identiteti i tyre nuk mund të jepet për arsye sigurie.

14:14 – Medvedev ministrit francez: Kujdes gjuhën zotëri!

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev u është përgjigjur të martën komenteve të ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, i cili është zotuar për nisje të luftës ekonomike dhe financiare kundër Rusisë.

14:11 – Lavrov pretendon se Ukraina po kërkon armë bërthamore

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një video-konference në Gjenevë mbi çarmatimin, u shpreh se Kievi ka kërkuar të sigurojë armë bërthamore, duke e cilësuar një rrezik që duhet të parandalohet.

13:27 – PE: Keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me sanksionet

Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për mospërshtatjen e Serbisë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

12:50Zelensky flet në Parlamentin Europian

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky i drejtohet Parlamentit Europian duke thënë se shpreson për anëtarësim në BE. Ai tha “çdo ditë e qytetarëve të Ukrainës është si dita e tyre e fundit”.

Ai tha se “askush nuk ka për ta thyer Ukrainën”.

12:25 – Bojkotohet fjalimi i Lavrov, diplomatët dalin nga salla

Në protestë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Moska, diplomatët u ngritën dhe u larguan nga dhoma kur filloi të transmetohej një video-mesazh i para-incizuar nga Sergei Lavrov.

Edhe pse autoritetet ukrainase shprehen se trupat bjelloruse kane kaluar kufirin, presidenti Lukashenko nga ana tjetër thotë se nuk do t’i bashkohet forcave ruse në pushtimin e Ukrainës.

12:06 –1000 ukrainas strehohen në Greqi, shumica gra dhe fëmijë

Dy autobusë nga Ukraina mbërritën të hënën në Athinë. Rreth 1000 ukrainas kanë mbërritur në Greqi që nga e enjtja  e 24 shkurtit kur forcat ruse filluan të godasin qytetet ukrainase.

11:19 – Ukraina pretendon se ka vrarë mbi 5700 ushtarë rusë

Zyrtarët ushtarakë të Ukrainas kanë raportuar se 5 710 trupa ruse janë vrarë në pesë ditët e para të luftimeve intensive në vend.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka postuar një video të shpërthimit të fuqishëm në qendër të Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili u bombardua gjatë natës nga rusët.

Pako me ushqime, veshmbathje, medikamente janë disa nga ndihmat e para që kanë dhuruar qytetarët shqiptarë në ambasadën ukrainase.

10:04 – Serbia nuk u regjistrua në votimin për pezullimin e Rusisë nga KiE

Serbia nuk votoi në seancën e për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës. Në votimin e tri ditëve më parë Serbia nuk u regjistrua fare.

09:00 – Tajvani do të bllokojë bankat ruse nga SWIFT

Tajvani do t’i bashkohet masave për të bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT njësoj si vendet perëndimore.

08:54 – Rusia i përgjigjet sanksioneve zvicerane me ndalimin e fluturimeve

Rusia ka ndaluar hyrjen e avionëve të regjistruar në Zvicër në hapësirën e saj ajrore, deklaroi të martën autoriteti federal i aviacionit të vendit, Rosaviatsiya.

08:25 – Kina nis evakuimet nga Ukraina

Rreth 400 studentë me bazë në qytetin port të Detit të Zi të Odessa, dhe 200 të tjerë nga kryeqyteti, Kiev, u larguan nga vendi të hënën, sipas tabloidit shtetëror Global Times, i cili citon Ambasadën Kineze në Ukrainë. 1 mijë qytetarë të tjerë pritet të evakuohen në vendet fqinje të martën.

07:33 – Bien sirenat e sulmeve ajrore në Kharkiv

Në orët e para të mëngjesit të 1 marsit në Kharkiv janë dëgjuar sirenat e sulmeve ajërore, sipas The Kyiv Independent. Banorët duhet të shkojnë në strehën më të afërt.

06:45 – Të paktën 70 ushtarë ukrainas të vrarë pas sulmit në Okhtyrka

Rusia ka bombarduar njësinë ushtarake në qytetin Okhtyrka mëngjesin e së martës. Të paktën 70 ushtarë kanë humbur jetën, ndërsa dyshohet se ka edhe viktima të tjera.

03:45 – Ushtria ruse sulmon qytetin Kherson

Autoritetet ukrainase deklarojnë se trupat ruse kanë sulmuar qytetin Kherson në orët e para të së martës.

03:18 – Ushtria Ukrainës: Rusia po rinis ofensivën në Kiev

Ushtria e Ukrainës deklaroi se trupat ruse kanë rifilluar sulmin kundër kryeqytetit.

“Situata përreth Kievit mbetet e tensionuar”, paralajmëroi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përmes një postimi në Facebook.

02:36 – Brukseli pranon zyrtarisht kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE

Aplikimi i presidentit Volodymir Zelensky për anëtarësim në Bashkimin Europian tashmë është dorëzuar dhe regjistruar zyrtarisht në Bruksel.

02:00 – Karvani ushtarak në periferinë e Kievit është mbi 64 kilometra i gjatë, sipas pamjeve të reja satelitore

Pamjet e reja satelitore nga Maxar Technologies sugjerojnë se autokolona që synon të arrijë kryeqytetin e Ukrainës është shumë më e gjatë nga sa mendohej më parë.

Maxar njoftoi mbrëmjen e së hënës se karvani ushtarak është më shumë se 64 kilometra i gjatë.

Në pamjen më poshtë duket kolona në fshatin Ivankiv, në veri të Kievit.

Autokolona ushtarake ruse në fshatin Ivankiv / Maxar Technologies

01:51 – Rusia përdori raketa termobarike, pretendon ambasadorja Ukrainës

Ambasadorja Ukrainës në Shtetet e Bashkuara ka kërkuar ndihmën e Kongresit amerikan teksa vendi i saj përballet me atë që ajo e cilësoi si një “luftë brutale”.

Sipas ambasadores Oksana Markarova, Rusia përdori armë termobarike gjatë sulmit të ditës së hënë.

“Ata sulmuan me raketa termobarike, përdorimi i të cilave ndalohet nga Konventa e Gjenevës”, tha ambasadorja ukrainase pas një takimi me ligjbërësit amerikanë.

00:54 – 9 civilë të vrarë nga sulmet në Kharkiv, thotë kryetari bashkisë

Të paktën 9 civilë, përfshi këtu dhe 3 fëmijë, kanë humbur jetën nga sulmet me raketa ruse në Kharkiv, deklaroi kryetari i bashkisë Ihor Terekhov.

00:20 – Raportohen shpërthime të fuqishme pranë aeroportit të Kherson, qytet në jug të Ukrainës.

Kherson shtrihet përgjatë lumit Dnieper, në veri të gadishullit të Krimesë.

23:22 – Zelensky akuzon Rusinë për krime lufte pas sulmit në Kharkiv

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se në pesë ditë, forcat ruse kanë kryer 56 sulme me raketa e kanë lëshuar 113 raketa tokë-ajër.

“Sot, forcat ruse qëlluan brutalisht mbi Kharkiv me artileri të rëndë. Kjo përbën qartazi krime lufte”, tha ai.

21:21 – Autokolona ushtarake ruse mbërrin në periferinë e Kievit

Autokolona ushtarake e Rusisë që ditën e diel ndodhej jashtë qytetit Ivankiv, ka mbërritur në periferi të Kievit.

Maxar njofton se karvani ushtarak me mjete të blinduara, tanke dhe mjete të tjera logjistike shtrihet përgjatë 17 kilometra rrugë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Kemi një armik të ri”, Rama: Do përfshihen shkollat në parandalimin e zjarreve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë një kapitull të ri për Mbrojtjen Civile në vend, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Farkë, në...
10:09 | 04/10/2025

Droni rus godet një ndërtesë banimi në Kiev

Një dron rus ka goditur një ndërtesë banimi në Kiev mbrëmjen e së premtes, pak pasi ranë sirenat për të paralajmëruar sulme në kryeqytetin ukrainas...
09:42 | 26/10/2024

Rusia kryen një valë sulmesh ajrore ndaj Kievit, si reagoi mbrojtja ukrainase

Rusia ka kryer disa valë sulmesh me dronë që kanë shënjestruar Kievin mëngjesin e së hënës, teksa mbrojtja ajrore ukrainase tha se me sukses ka...
11:09 | 30/09/2024