Kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë në përurimin e godinave 16 dhe 17 të konvikteve në Qytetin Studenti. Të pranishëm ishin dhe ministrja për Arsimin, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se këto godina mund të karakterizohen si të kategorisë “A” në çdo vend europian si dhe transformimin që ka pësuar Tirana duke ndikuar në imazhin e Shqipërisë.
“Duhet të ofrojmë kushte maksimale me kushtet më të mira në krahasim me kushtet e studentëve në BE. Është një konvikt që do të qëndronte në kategorinë A të çdo vendi në BE. Ka konvikte edhe në Paris e Londër që janë 4 vetë në një dhomë. Këtu çdo dhomë ka dushin e vet. Kjo është një ambicie që me mundësive që rrisim çdo vit falë rritjes së ekonomisë, të bëjmë gjëra që i qëndrojnë për një periudhë të gjatë kohës, jo gjëra për sot e nesër”, tha Rama.
Ndërkaq, ai ka folur për të tjera projekte që e presin këtë zonë përveç godinave të konvikteve.
“Këtë zonë e presin edhe një sërë godinash të tjera që do të marrin një transformim duke nisur që nga godina administrative, deri tek ajo që do të ketë qendër të madhe leximi dhe studimi, me synimin për të zhvilluar një bibliotekë. Do vijojmë më pas me një mensë të përbashkët, pastaj godina që do të krijojë mundësi për të pasur aktivitete social-kulturore dhe godina që do të jetë pishina e parë olimpike në Shqipëri e mbyllur”, shtoi kryeministri.
Rama gjthashtu vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës në zhvillimin e kryeqytetit.
“Këto janë projekte për të cilat janë edhe financimet të dedikuara që presin për tu vënë në dispozicion. Qytet Studenti e ka mishëruar transformimin e shtetit tonë, të gjitha dhimbjet dhe deformimet e një tranzicioni që kemi lënë pas.
Qytet Studenti ka potencialin që të bëhet një qytet-park dhe duhet të jemi të bindur se Bashkia është lokomotiva në të gjitha drejtimet. Është metropoli i Shqipërisë dhe duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj se të tjerat”, theksoi ai.
Ndër projektet e reja, Rama cilësoi dhe nismën për ofrimin e ushqimit të drekës në shkollat 9-vjeçare, një program që synon të ndihmojë familjet dhe të krijojë një komunitet më të fortë social mes fëmijëve.
“Do vëmë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës. Dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet në sensin më shumë jetë të përbashkët edhe sociale mes fëmijëve për të pasur më shumë aktivitete që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa” deklaroi Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
- Reforma në drejtësi, Rama: Shqipëria nuk kishte një shtet të së drejtës, e solli PS
- Turizmi/ Ekspertët: Duhet ndryshuar infrastruktura që të justifikohen çmimet