Policia publikon planin e masave për ndeshjen Shqipëri-Ukrainë, rrugët që bllokohen
Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike përpara, gjatë, dhe pas ndeshjes së Ligës së Kombeve Shqipëri-Ukrainë. Ndeshja do të zhvillohet këtë të martë në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.
Policia njofton se ka vendosur të aplikojë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore rreth stadiumit.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 15:00 e datës 19 nëntor 2024 deri në përfundimin e ndeshjes.
Rrugët që do të bllokohen:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 metra mbi urën e Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”;
- Rruga “Ismail Qemali”, në kryqëzimin e Liceut;
- Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
- Rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
- Rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Plani i masave për mbarëvajtjen e ndeshjes:
Kontrolle të imtësishme: Punonjësit e Policisë do të kryejnë kontrolle të detajuara ndaj tifozëve përpara hyrjes në stadium për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara, si banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh, dhe sende të tjera të rrezikshme.
Kundërvajtjet dhe ndëshkimet: Sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive janë të dënueshme, thueht në njoftimin e policisë. Hyrja e paautorizuar në fushë gjatë një ndeshjeje, hedhja e sendeve të forta apo përdorimi i lëndëve piroteknike gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me gjobë ose me burgim, në varësi të shkeljes.
Paralajmërimi për tifozët: Policia kërkon mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten herët në stadium për të shmangur humbjen e mundësisë për hyrje për shkak të fluksit të tifozëve.
“Po ashtu, tifozët dhe qytetarët janë të këshilluar të mos bien pré e mashtrimeve me çmimet e biletave dhe të mos publikojnë biletat në rrjetet sociale, pasi ato mund të dublikohen në mënyrë të paligjshme”, thekson policia.
Ndëshkimet për falsifikim: “Çdo dublikim apo shumëfishim i biletave konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen sipas Kodit Penal. Në rast të ndonjë situate të tillë, qytetarët janë të inkurajuar të denoncojnë menjëherë në numrin 112”, thekson policia.
LEXONI GJITHASHTU:
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit në ditën e 25-të të protestës
Stuhia e shiut përfshin juglindjen e vendit (VIDEO)
Enver Hoxhaj reagon për protestën në Tiranë: Shqipëria e fortë është në interesin e çdo shqiptari
- 21:23 Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e kryeqytetit në ditën e 25-të të protestës
- 20:56 Stuhia e shiut përfshin juglindjen e vendit (VIDEO)
- 20:39 Enver Hoxhaj reagon për protestën në Tiranë: Shqipëria e fortë është në interesin e çdo shqiptari
- 20:33 Floriana Garo: PD dhe Berisha mbështesin pa lëkundje kërkesat e protestës qytetare
- 20:11 Begaj mesazh për protestat: E drejta për t’u shprehur duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin
- 20:10 Bitcoin bie nën 60,000 dollarë mes presionit në tregjet globale