Progres raporti për Shqipërinë, BE: SPAK rezultate në hetimin e zyrtarëve të lartë
Euronews Albania ka siguruar progres raportin e Bashkimit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025.
Në dokumentin prej 102 faqesh, jepet vlerësimi lidhur mbi ecurinë e vendit në implementimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e zgjedhjeve dhe fusha të tjera kyçe.
Ndër të tjera në raport theksohet se është bërë progres në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, ndërsa nëvijëzohet roli i SPAK në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimet për raste korrupsioni të nivelit të lartë, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të lartë
“Shqipëria është në një nivel përgatitjeje të moderuar dhe ka treguar përparim. Është miratuar Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030. Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparim të dukshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë fushë.
Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit vazhdon të ketë ndikim të kufizuar, ndërsa bashkërendimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët. Mangësitë në transparencën dhe efektivitetin e kontrollit të deklarimeve të pasurive duhet të adresohen”, thuhet veç të tjerash në raport.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, raporti thekson se ato u zhvilluan në një klimë të thellë polarizimi, megjithëse garuesit patën përgjithësisht liri veprimi në fushatë, ndërsa përdorimi i votimit nga jashtë u menaxhua mirë dhe u konsiderua një arritje elektorale e rëndësishme.
“Kodi Zgjedhor u ndryshua në korrik 2024 dhe në shkurt 2025, duke reflektuar pjesërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe u zbatua në zgjedhjet parlamentare të majit 2025. Ndryshimet mundësuan votimin nga jashtë vendit, ndryshuan sistemin e votës preferenciale, rritën kufijtë e shpenzimeve elektorale, modifikuan afatet zgjedhore dhe rregulluan kohën televizive për kandidatët. Megjithatë, nevojiten ende ndryshime të tjera për të adresuar rekomandimet e paplotësuara të OSBE/ODIHR dhe për t’u përafruar plotësisht me standardet demokratike.
Në kapitullin që lidhet me Prokurimet Publike dhe partneritetet publike-private (PPP), raporti evidenton se ndonëse janë bërë përmirësime të dukshme në transparencë dhe përdorimin e procedurave të hapura, kuadri ligjor mbetet ende vetëm pjesërisht i përafruar me acquis të BE-së.
Sipas raportit, dispozita kalimtare e ligjit të ri që u jep institucioneve qendrore të drejtën të negociojnë marrëveshje ndërkombëtare konsulence në “fusha me interes strategjik”, duke i përjashtuar nga konkurrenca e hapur, vazhdojnë të ngrejnë shqetësime për përputhshmërinë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
“Dispozita kalimtare e ligjit të ri që i autorizon institucionet qendrore të qeverisë të negociojnë dhe nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare konsulence në “fusha me interes strategjik”, duke i përjashtuar ato nga konkurrenca e hapur, vazhdon të ngrejë shqetësime për përputhshmërinë me acquis të BE-së dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Ligji për koncesionet dhe partneritetet publike-private (PPP) është vetëm pjesërisht i përafruar me acquis të BE-së. Procesi për rishikimin thelbësor të këtij ligji, me synim përafrimin e plotë me standardet e BE-së, ende nuk është përfunduar.
Sa i përket lirisë së mediave raporti thekson se “Shqipëria ndodhet ndërmjet një niveli të pjesshëm dhe mesatar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit”.
“Shqipëria ndodhet ndërmjet një niveli të pjesshëm dhe mesatar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes dhe ka bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës së raportimit. Situata mbetet kryesisht e pandryshuar, me pavarësinë dhe pluralizmin mediatik që vazhdojnë të ndikohen nga mbivendosja e interesave politike dhe biznesore, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë mediatike, frikësimet dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët.
Nisma për një dialog të strukturuar midis institucioneve shqiptare dhe aktorëve të medias, si edhe miratimi i masave të buta për sigurinë e gazetarëve, përbëjnë zhvillime pozitive. Megjithatë, u ngritën shqetësime lidhur me ligjshmërinë dhe respektimin e procedurave gjatë dëbimit nga autoritetet të një mediaje nga ambientet publike që ajo përdorte”, thuhet në raport.
LEXONI GJITHASHTU:
“PD të reflektojë”, Nurellari: Ka humbur zgjedhjet e s’bën mbledhje për Këshillin Kombëtar
Kuçana sqaron rezolutën që i nisi Berishës: Ne duhet të reagojmë si parti
Kanosën gazetarin në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, procedohen penalisht dy persona
- 21:55 Regjistër publik për autorët e dhunës në familje, Irlanda miraton legjislacionin
- 21:45 “PD të reflektojë”, Nurellari: Ka humbur zgjedhjet e s’bën mbledhje për Këshillin Kombëtar
- 21:28 Kuçana sqaron rezolutën që i nisi Berishës: Ne duhet të reagojmë si parti
- 21:08 Kanosën gazetarin në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, procedohen penalisht dy persona
- 21:00 Franca dhe Gjermania zgjerojnë partneritetin mbrojtës, ndërsa Evropa kërkon më shumë autonomi ushtarake
- 20:50 Mori me forcë xhiron ditore në një dyqan, arrestohet 37-vjeçari në Durrës (VIDEO)