Protestat, Rama: Turistët po anulojnë rezervimet, ka një frymë fashiste që nuk pranon mendimin kundër

14 Qershor 2026 | 09:55

Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e fundit po ndikojnë negativisht në sektorin e turizmit, duke sjellë anulime të rezervimeve nga turistët e huaj për sezonin veror.

Gjatë podcastit “Flasim”, Rama tha se ka marrë ankesa dhe mesazhe nga operatorë turistikë në zona të ndryshme të vendit, të cilët raportojnë rënie të rezervimeve. Sipas tij, kjo situatë dëmton bizneset lokale, ekonominë familjare dhe të ardhurat që vendi siguron nga turizmi.

Kreu i qeverisë theksoi se sezoni turistik i këtij viti pritej të ishte ndër më të suksesshmit, por paralajmëroi se vazhdimi i protestave dhe anulimeve mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e tij.

Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet: “Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese.

“Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi.
Domethënë, nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë, ato para që do të hyjnë normalisht me një sezon turistik të qetë, atëherë unë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo.

Nëse ka një axhendë protesta për të penguar Shqipërinë nga të katërt anët dhe, përmes pengesës, për të krijuar një frustrim dhe pastaj për t’i bërë njerëzit që të thonë: “Hajde se po e heqim këtë qeveri, vetëm që të na lini rehat”, atëherë kjo është një axhendë që është jo e re. Është një axhendë që është përdorur në vende të tjera, është një axhendë që është përdorur dhe këtu nga molotovarët, por që nuk ka për të funksionuar. Dëmi, patjetër që do të jetë i madh, edhe i panevojshëm, sipas meje”, tha Rama.

Rama kritikoi gjithashtu presionet dhe sulmet në rrjetet sociale ndaj personave publikë dhe qytetarëve me qëndrime të ndryshme, duke i cilësuar ato si të papranueshme për një shoqëri demokratike.

“Kam parë me shumë keqardhje se si një këngëtar si Ylli Limani, një këngëtar i dashur për një masë njerëzish, – nuk është këngëtari im i preferuar, unë i përkas një brezi tjetër dhe jetoj me të tjera dëshira që lidhen me muzikën, por është një këngëtar shumë i respektuar, shumë i preferuar, që ka bërë një koncert të jashtëzakonshëm në Tiranë, – e kanë “masakruar” me sharje, me presione, me kërcënime për të anuluar koncertin dhe për të mos i dhënë njerëzve kënaqësinë që të kenë një moment të bukur muzike, sepse njerëzit do të fokusohen tek protesta.

Dhe kjo po ndodh me shumë njerëz, edhe me ata që kanë një opinion tjetër thjesht dhe shkruajnë postim dhe marrin të shara dhe marrin kërcënime, të cilat flasin për atë që unë e kam thënë që është ditën e parë në këtë konglomerat, në këtë mozaik, ku ka njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, ku ka patjetër njerëz, që kanë vetëm qëllime të mira, ka dhe një komponentë fashiste, një frymë fashiste. Dhe fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: “Shqipëria është e shqiptarëve”, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë “delja e zezë” e Europës për vite, vite të tëra pastaj. “Greqia është e grekëve”, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë, e të tjera, e të tjera, e të tjera.

Fryma fashiste është kur ti thua: “Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard”, po unë nuk dua dhe nuk pranoj që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër.

Të tjerët duhet të çohen nga kafet, të tjerët nuk duhet të shkojnë në koncert, të tjerët nuk duhet të shkojnë në plazh, të tjerët nuk duhet të punojnë, të tjerët nuk duhet të marrin të mirat materiale nga puna e tyre, sepse duhet të jenë pjesë e kësaj gjëje”. Fryma fashiste është kur nuk do të dish fare dhe, patjetër që, kjo është një komponente shumë e rrezikshme e protestës. Por këto simptoma, lidhen drejtpërdrejt me dy gjëra që janë të panegociueshme për një shoqëri demokratike dhe për shoqërinë shqiptare dhe për vendin, që është nevoja për rritje ekonomike, nevoja për më shumë të ardhura dhe turizmi, është një burim kaq i madh dhe kaq i rëndësishëm dhe këtë vit parashikohet të jetë një sezon më i suksesshmi ndonjëherë, por, nëse kjo situatë do të vazhdojë dhe nëse anulimet do të vazhdojnë, ky nuk do të jetë një sezon i suksesshëm. Ky do jetë një sezon i sabotuar nga vetë ne, nga vetë ne, një gjë e paimagjinueshme, por që faktikisht mund të ndodhi, dhe simptomat janë”, u shpreh Rama.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

I dënuar në Itali për trafik droge, policia publikon pamjet e arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga arrestimi i Moisi Habilajt, i cili u kap në një lokal në Borsh gjatë operacionit të koduar “Metodat”....
10:16 | 14/06/2026

Trump: Marrëveshja me Iranin nënshkruhet sot. Teherani nuk konfirmon afatin kohor

Nënshkrimi i një marrëveshjeje SHBA – Iran sot për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme u njoftua dje nga Donald Trump me Teheranin që nuk e konfirmoi datën në këtë fazë. Dhe ndërsa presidenti...
09:06 | 14/06/2026

Dita e 14-të e protestës. Pas 3 orësh para Kryeministrisë, qytetarët marshim në rrugët e Tiranës

Këtë të shtunë ashtu siç ishte njoftuar ka nisur në orën 18:00 protesta e 14-të e qytetarëve në Tiranë kundër ndërtimit në Zvërnec. Qytetarët të...
22:59 | 13/06/2026