Qeveria spanjolle propozon që aborti të bëhet e drejtë kushtetuese
Qeveria e majtë e Spanjës ka propozuar që aborti të përfshihet si e drejtë kushtetuese, pasi këshilli bashkiak i Madridit informoi gratë lidhur me të ashtuquajturën “sindromë post-abort”.
Ky zhvillim kundërthënës ndodhi të martën, kur këshilli bashkiak i Madridit, i kontrolluar nga Partia konservatore Popullore (PP), miratoi një propozim të ekstremit të djathtë që kërkon nga institucionet shëndetësore të informojnë gratë që kërkojnë të bëjnë abort për këtë sindromë të pretenduar.
Propozimi pretendon se kjo sindromë mund të çojë në përdorimin e alkoolit dhe drogave, mendime për vetëvrasje dhe rritje të rrezikut për shfaqjen e kancerit.
Në propozim thuhet se informacionet mbi këtë sindromë të pretenduar po “fshihen me qëllim”, duke argumentuar se aborti është “biznes i madh” që po promovohet nga ideologjia feministe.
PP-ja fillimisht mbrojti masat, por pas reagimeve të shumta, kryebashkiaku i Madridit nga PP-ja, Jose Luis Almeida, e pranoi më 2 tetor se sindroma e post-abortit nuk është një “kategori e njohur shkencërisht”. Ai po ashtu tha se informimi i grave për të nuk do të ishte i detyrueshëm.
Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, më 3 tetor akuzoi PP-në se “ka vendosur të bashkohet me ekstremin e djathtë” dhe njoftoi se planifikon të paraqesë një propozim në Parlament për ta mbrojtur me Kushtetutë të drejtën e abortit.
Reformat kushtetuese në Spanjë janë të vështira, pasi për ndryshime të saj kërkohet një shumicë prej tre të pestave në Parlament. Kjo i bie se për çdo ndryshim, Sanchez duhet të sigurojë mbështetje nga ligjvënësit e opozitës konservatore.
Spanja ka dekriminalizuar abortin më 1985 në rastet e përdhunimit, nëse fetusi është i deformuar, ose nëse lindja paraqet rrezik serioz fizik ose psikologjik për nënën.
Ligji u ndryshua më 2010 për të lejuar abortin sipas kërkesës gjatë 14 javëve të para të shtatzënisë.
LEXONI GJITHASHTU:
BE-ja ndan 4.4 miliardë dollarë për blerjen e dronëve nga Ukraina
Vapa rekorde vë në provë gatishmërinë e Gjermanisë
Polemikat me Trump, Meloni: Nuk jam antiamerikane, por as e gjunjëzuar
- 12:59 BE-ja ndan 4.4 miliardë dollarë për blerjen e dronëve nga Ukraina
- 12:56 Merz reagoi për kombëtaren gjermane pas humbjes në Botëror, kritikohet kancelari gjerman
- 12:52 Witkoff dhe Kushner zbarkojnë në Katar për bisedime rreth luftës me Iranin
- 12:47 Qëllohet sërish me vezë makina e një prej deputetëve (VIDEO)
- 12:47 Aksident në aksin Vlorë–Llakatund, përplasen dy automjete (VIDEO)
- 12:44 Frontex: Rusët, kinezët dhe turqit keqpërdorin regjimin pa viza të Ballkanit Perëndimor