Pas betimit të kabinetit të ri qeveritar, Kryeministri Edi Rama prezantoi ministren e re të Brendshme, Albana Koçiu, e para grua në krye të punëve të brendshme, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Ai ka theksuar nevojën për një reformë të thellë në administratën e Ministrisë, duke kritikuar qasjen e deritanishme dhe duke kërkuar ndryshime të thella në menaxhimin e punëve të brendshme.
Rama ka vënë në dukje se administrata e Ministrisë së Brendshme dhe e Ministrisë së Jashtme “jeton në një kohë orare tjetër”, dhe se duhet një qasje ndryshe për të përmirësuar funksionimin e këtyre institucioneve.
“Duhet filluar nga godina e ministrisë. Ministria e Brendshme duhet ta shohë 360 gradë fushën e punëve dhe te orientojë drejtimin e punëve si në çdo vend të BE-së. Ndarja është shumë e qartë për sa i përket punëve të brendshme.
Tashmë janë pjekur kushtet që të bëjmë një kapërcim me rëndësi sepse parametrat e rendit publik janë konsoliduar.
Administrata e Ministrisë së Brendshme me adminsitratën e Ministrisë së Jashtme janë dy administrata që jetojnë në një kohë orare tjetër. Këtu nuk është çështje e punonjësve, është çështje e vizionit, e asaj që kërkohet nga administrata.
Faktikisht ndryshimi rrënjësor i administratës, që fillon nga ndryshimi i qasjes nën një drejtim që kërkon të shihen ndryshe punët e brendshme është një domosdoshmëri. Arsimi dhe edukimi i trupës policore, është çështje e Ministrisë së Brendshme. Funskionimi i prefekturave, dimensioni i pushtetit vendor në punët e brendshme, në realitet është i mangët.
Institucone që e kanë humbur peshën, kanë humbur kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat, të cilën do ta bashkëudhëheqin që në konceptim ministrja e brendshme me ministrin e shtetit për pushtetin Vendor. Duhet të dalin në përfundimin a na duhen prefekturat apo nuk na duhen fare. Dhe nëse na duhen prefekturat, cfarë forme duhet të ketë, si të bëhen vlerë e shtuar, dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër 0-s”, tha Rama.