Kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut, Manja prezanton raportin para deputetëve të PS

9 Mars 2026 | 10:10

Kryeministri Edi Rama, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka mbledhur këtë të hënë grupin parlamentar të PS-së për të diskutuar kërkesën e SPAK-ut për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut.

Ulsi Manja lexoi raportin e PS-së në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku ndërsa ajo vetë nuk ishte e pranishme në mbledhje.

Manja tha anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit kanë arritur në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ndalimit të daljes jashtë shtetit, me një masë më të rëndë, si arrest me burg ose në shtëpi, për Belinda Ballukun.

“Kemi arritur në këtë raport rekomandues që po e prezantoj sot, në dakordësi me njëri-tjetrin. Sot jemi përpara një realiteti të ri institucional: deputetja Balluku nuk e ushtron më funksionin në Këshillin e Ministrave si pasojë e ndryshimeve në qeveri. Masa e sigurimit personal dhe pezullimi nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasoje juridike reale, dhe në këtë linjë arsyetimi edhe narrativa që SPAK ka kërkuar për masat personale mbetet hipotetike, për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja nuk i ushtron më,” tha Manja.

Ndërkohë, në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama e cilësoi të gjithë procesin si një “budallëk” të paprecedentë dhe theksoi se akuza ndaj Ballukut nuk ka të bëjë me vjedhje apo korrupsion, por vetëm me dyshimin për “pabarazi në tendera publik”.

Ai shtoi se e gjithë kjo akuzë bazohet në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori, një fakt që e konsideroi “ende krejt të pahetuar”.

Kryeministri deklaroi se historia u servir si “gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politik dhe mediatik.

“Pezulloi faktikisht funksionin, jo thjesht personin. Prandaj edhe nuk ka ndodhur kurrë, askund tjetër në botë, një budallëk i kësaj natyre.”

Ai theksoi se kërkesa për arrest erdhi si një “turravrap i dytë”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e masës së parë, pas ankimimit të bërë nga mazhoranca.

Në fund, Rama deklaroi se Partia Socialiste nuk do të votojë për arrestimin e deputetëve pa argumente të forta, duke theksuar se çdo kërkesë duhet të mbështetet nga prova të qarta.

“Nëse do të ngremë dorën për të çuar në burg një deputet me këto argumente, çfarë jemi ne? Bashkëautorë në krijimin e popullit të të paraburgosur në Shqipëri. Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, siç ndodhi në dy rastet e mëparshme. Ti vish Kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua apo dy gra? Na vënë në një pozitë absurde, kur kemi dhënë shpirtin në betejën për reformën në drejtësi, duke i vënë në dispozicion lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni ç’të doni. Dinjiteti i Parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë.”

Rama falenderoi gjithashtu ish-zv/kryeministren Balluku.

“E falenderoj sot Belindën për gjashtë vitet e bashkëpunimit dhe i uroj fat, cilido qoftë. Në betejën që do të ketë, do të ketë pranë vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për refuzimin e tre kërkesave për dorëheqje, i cilat i kam refuzuar vetëm sepse drejtësia dhe pushteti i pavarur gjyqësor duhet të veprojnë brenda territorit të pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit, dhe kjo për mua ka qenë dhe do të mbetet e patolerueshme sa të jem unë në këtë detyrë.”

Raportet e PS-së dhe PD-së për Ballukun do të kalojnë për votim më 12 mars në Parlament.

PD-ja ka publikuar raportin e saj të plotë, duke bërë të qartë mbështetjen për kërkesën e SPAK-ut. Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK me akuzën për “shkelje të barazisë në tendera”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesit lënë sheshin para Kryeministrisë dhe vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës

Pas rreth dy orë e gjysmë qëndrimi dhe fjalimesh përpara Kryeministrisë, aktivistët dhe qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës në ditën e 16-të...
21:21 | 15/06/2026

Bllokimi i rrugës së Rinasit ditën e djeshme në marshimin e protestës, policia merr në hetim 19 persona

Policia e Shtetit ka nisur procedim penal ndaj 19 personave të dyshuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në bllokimin e aksit rrugor drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë...
20:53 | 15/06/2026

37-vjeçari humb kontrollin e mjetit lundrues dhe mbytet në liqenin e Ulzës, vijojnë kërkimet për trupin

Një 37-vjeçar dyshohet të jetë mbytur në liqenin e Ulzës, ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, rreth...
20:49 | 15/06/2026