English

Rrëfim dhe debat për “Komplotin” – Ben Blushi: Rreziku që kemi ne është demografia

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

“Komploti” i shkrimtarit Ben Blushi është një nga romanet më të suksesshëm të viteve të fundit, i cili ka nxitur debat në rrethet intelektuale dhe ka ngritur një sërë pikëpyetjesh me metaforat profetike për Shqipërinë e dekadave të ardhshme.

- Advertisement -

Një produkt letrar i pazakontë për mesazhet që përcjell, kjo vepër letrare të fton të mendosh për krizën demografike të shqiptarëve, emigracionin, dilemat e identitetit dhe pasigurinë e të ardhmes.

Qendra Kombëtare e Librit organizoi një takim të hapur, ku lexues, gazetarë dhe intelektualë të njohur shkëmbyen mendime dhe diskutuan me autorin për idetë provokuese të këtij libri, si dhe për tema që tejkalojnë letërsinë.

Si lindi ideja për “Komplotin”?

“Ngjarjet zhvillohen në 2044, pra 20 vjet nga sot. Komploti lindi si ide kur shkoja në Shëngjin para dy vjetësh edhe kërkoja të bëja fotografi afganësh. Meqë asnjë vend i botës nuk i pranoi amerikanët, i sollën në Shqipëri. Unë, duke u bërë fotografi afganëve, më lindi ideja se çfarë do të ndodhte në Shëngjin; projektoja sikur pas 10 vjetësh do të ishte ndonjë prej tyre kryetar i bashkisë, sigurisht që do të ishte, do ishin popull më i madh se shqiptarët”, deklaroi shkrimtari Ben Blushi.

Në qendër të romanit trajtohet tematika e emigrimit, ku autori nuk lë në hije frikën e shqiptarëve që mund të shuhen si popull.

“Rreziku që kemi ne është rreziku demografik. Ne nuk u shuam kur na pushtuan, por mund të shuhemi sot se po ikim. Territori që e rrethojmë me institucione, ne mund ta lëshojmë. Si popull i vogël, kemi jetuar me paranojën e shuarjes, por në fakt nuk ka ndodhur; fakti që s’ka ndodhur nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë. Të gjitha arsyet që ne të zhdukeshim kanë ekzistuar. Ne nuk jemi shuar; sot jemi më mirë se para 100 vitesh, më mirë se përpaa 300 vjetësh sepse sot kemi një shtet”, deklaroi Blushi.

Një tjetër shqetësim i shkrimtarit është rreziku për asimilimin e gjuhës shqipe.

“Unë gjithmonë kam pasur frikë se gjuha shqipe mund të mos lexohet. Nuk po them se nuk do flasim shqip pas 200 vjetësh, por mund të flasim shqip në mënyrë shtëpiake, ashtu siç ndodh sot me emigrantët”, shtoi ai.

Në diskutimin e hapur të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, shkrimtari Ben Blushi u ndal dhe tek lufta në Lindjen e Mesme.

“Nuk e di a është e mundur që në 10 vitet e ardhshme të flitet për një shtet palestinez”, përfundoi shkrimtari.

Zëvendësimi i shqiptarëve nga afganët apo sirianët është dilema që e ka shoqëruar shkrimtarin gjatë gjithë romanit të tij “Komploti”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

SPAK mbush 5 vite, si e vlerësoni punën e Prokurorisë së Posaçme?