Scholz: KFOR duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur

9 Nëntor 2023 | 15:07

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë një konference për media në Berlin, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të aleancës perëndimore ushtarake, Scholz tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it.

“NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha kancelari gjerman.

Që nga fundi i majit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

Për shkak të rritjes së tensioneve, që u përcollën me protesta të dhunshme, ku u lënduan edhe dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, NATO njoftoi për rritjen e pranisë ushtarake në Kosovë.

KFOR, që është reaguesi i tretë i sigurisë, vazhdimisht ka deklaruar se mund të ndërhyjë nëse është e nevojshme, por ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më 24 shtator, tensionet u rritën edhe më shumë pasi një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.

Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 4.353 trupa, 70 prej të cilëve janë nga Gjermania.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Reagon ministrja serbe: I kërkoj falje Vuçiçit

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas reagimeve të forta që shkaktoi deklarata e saj për spastrimin...
12:29 | 16/07/2026

“Pres më shumë nga Shqipëria”, Ministri Sveçla i ashpër me Tiranën zyrtare për qëndrimin ndaj

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka folur këtë të mërkurë në emisionin “Now” me moderatore Erla Mëhilli. Sveçla ka komentuar deklaratat e ministres...
22:08 | 15/07/2026

“Do bënte spastrim etnik në Kosovë”, Sveçla: Daçiç dhe Vuçiç pasardhës të Millosheviçit

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme në Kosovë në një intervistë për Euronews Albania ka folur mbi deklaratën e ministres serbe, Snežana Paunović, e...
22:07 | 15/07/2026