Shabani i përgjigjet Lapajt: Po shpif, s’kam qëllim të të pengoj të futesh në Kuvend

22 Korrik 2025 | 17:28

Vijon përplasja në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, ku ky i fundit ka reaguar sërish lidhur me deklaratat e kreut të “Shqipëria Bëhet”.

Në reagimin e tij, Shabani shkruan se, në përgjigje të deklaratës së sotme të Z. Adriatik Lapaj, në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, është thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Lapaj.

Shabani akuzon Lapajn se po shpif ndaj tij, po gënjen dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një situatë që e ka krijuar vetë.

Ai sqaron se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk ka pse të ketë qëllim të pengojë Lapajn të hyjë në Parlament.

Përkundrazi, Shabani thotë se e ka bërë të qartë publikisht dhe privatisht se për të, Adriatiku apo kushdo tjetër që ai mbështet, mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Shabani tregon se ia ka bërë të qartë Lapajt se nuk mund të bindë dajën e tij të harrojë kërcënimet me jetë apo dhunën publike dhe mediatike, të frymëzuar, në mos të porositur, nga Lapaj.

Ai shpreh keqardhjen që një lider i ri si Adriatiku nuk merr përgjegjësi për këtë “teatër politik” me familjarët, të cilin, sipas Shabanit, e ka sugjeruar si një “gjetje gjeniale”.

“Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim rrezik, pasi varej nga vullneti i atyre që pranonin të përdoren si “placeholders” (mbajtës rradhe), dhe prandaj duhej menaxhuar me shumë kujdes”, shkruan Shabani.

Shabani shpreh dëshirën që ky absurd të mbarojë, duke theksuar se personalisht, së bashku me familjarët që mendojnë si ai, kanë hapur krahun pa asnjë problem.

Ai shton se motra e Adriatikut po bëhet deputete vetëm sepse njeriu i tij më i afërt ka pranuar t’i lirojë vendin asaj.

Më tej, Shabani sqaron se Lapaj i është lutur dajës së tij, Zeqirit, ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidat për të plotësuar listën, dhe ai nuk ka asnjë lidhje me këtë histori.

Ai thekson se nuk është deputet dhe as nuk dëshiron të bëhet deputet ndërsa në fund, Shabani bën apel që mos ta tërheqin në këtë “valle”, që sipas tij duhet të mbyllet sa më parë, jo për të, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra tashmë e zhgarravitur e “politikës së re”.

Reagimi i plotë i Endri Shabanit

“Një përgjigje për deklaratën e sotme të Z. Adriatik Lapaj

Në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj.

Theksoj “me mjete të pabarabarta” sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë.

Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë.

Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament.

E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Nga ana tjetër, ia kam bërë të qartë po ashtu Adriatikut se unë nuk e bind dot dajën tim që të harrojë kërcënimet me jetë, apo dhunën publike dhe mediatike të frymëzuar, në mos porositur, nga Adriatiku.

Përpara se të kalohej në dhunë e kërcënime, Adriatiku është dëshmitar që jam ulur bashkë me të për t’i kërkuar dajës t’i hapë rrugën, dhe nuk ia kemi dalë.

Unë nuk jam Zeqiri dhe as dua të bëj avokatin e tij, por nuk kemi argumente as unë, as Adriatiku për ta bindur që ai të mos i kërkojë hesap Adriatikut për sa i përket fjalës së dhënë.

Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm.

Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër.

Ajo që unë nuk kuptoj është përse Adriatiku kërkon të më bëjë mua përgjegjës për vendimet individuale të dikujt që, po, është i afërmi im, por ka kokën e vet, kur Adriatiku vetë nuk mban përgjegjësi as për familjarët e tij që kërcënojnë në emër të tij.

Unë besoj njësoj si Adriatiku që ai s’ka përgjegjësi për vjehrrin që nuk e kaloi Vettingun. Por nuk është problemi im nëse ai beson që përgjegjësia e dikujt tjetër është e imja – dhe kjo nuk ka ku të rrijë!

Më vjen keq që një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një “gjetje gjeniale”. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si “placeholders” (mbajtës rradhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes.

Megjithatë, do të doja që ky absurd të mbaronte. Dhe personalisht, së bashku me ata familjarë që mendojnë si unë, e kam hapur krahun pa asnjë problem.

Motra e Adriatikut po bëhet deputete sot vetëm sepse njeriu im më i afërt ka pranuar t’ia lirojë vendin asaj.

Ndërsa Adriatikut do t’i lutesha që çfarë ka me dajën, të mos ma kërkojë mua, sepse për më tepër, sado qesharake të duket, dajës tim iu lut ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidatë për të mbushur listat.

Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.

As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet.

Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim.

Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë. Jo për mua, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra e zhgarravitur tashmë e “politikës së re”!”, thuhet në reagimin e Shabanit.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit

Politologu Ermal Hasimja komentoi në emisionin Now në Euronews Albania vendimin e Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj...
21:37 | 28/05/2026

Para, dashuri dhe krim, djali i themeluesit të ‘Mangos’ arrestohet për vrasjen e babait të tij

Autoritetet spanjolle kanë arrestuar djalin e themeluesit të dyqanit të modës Mango për vrasjen e dyshuar të babait të tij miliarder, i cili vdiq në dhjetor...
10:48 | 19/05/2026

Gazetari Vojka nga SHBA-ja: Irani ka ndaluar negociatorët iranianë që të bëjnë negociata

Gazetari, Dorand Vojka në një lidhje live nga SHBA-ja për emisionin “Balkan Talks” me Franko Egro në Euronews Albania ka folur lidhur me luftën në...
21:32 | 24/04/2026