SHBA pas vizitës së Whitaker në Kosovë: Po avancojmë interesat e përbashkëta të sigurisë
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova po vazhdojnë të avancojnë “interesat e përbashkëta të sigurisë” dhe të “forcojnë stabilitetin rajonal”.
Kështu tha Ambasada amerikane në Prishtinë në një postim në rrjetet sociale lidhur me përmbylljen e vizitës në Kosovë të ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker.
“Vizita e tij vuri në pah kontributet në rritje të Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për të adresuar sfidat globale dhe rëndësinë e bashkëpunimit tonë përmes KFOR-it dhe përmes Programit për Partneritet të Gardës Kombëtare me Ajovën. Së bashku, SHBA-ja dhe Kosova vazhdojnë të avancojnë interesat e përbashkëta të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit rajonal”, tha Ambasada amerikane.
Një ditë më parë, Whitaker zhvilloi takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.
Ndërkaq në qendër të takimeve, sipas njoftimeve të lëshuara nga zyra e Kurtit, Haxhiut dhe KFOR-it, ishte siguria në Kosovë dhe rajon.
Kosova i është bashkuar Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën dhe pritet të dërgojë trupa në territorin palestinez. Kjo forcë është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para, së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë, që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Po ashtu, vendi e konsideron si qenësore aleancën me SHBA-në, shtet që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Kosova, që është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, gjithashtu po pajisjet me armë amerikane, teksa është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.
Përveç mbështetjes që SHBA ka dhënë për shndërrimin e FSK-së në ushtri, Uashingtoni kontribuon në trajnimin dhe edukimin e ushtarëve të Kosovës. FSK-ja merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
Analisti Peka: Osmani do jetë sërish Presidente, Vetëvendosje dhe LDK drejt koalicionit
Kurti: Të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë
Albin Kurti shpall fitoren: Kjo është dekada e qeverisjes së Vetëvendosjes!
- 00:39 Analisti Peka: Osmani do jetë sërish Presidente, Vetëvendosje dhe LDK drejt koalicionit
- 00:08 Kurti: Të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë
- 00:07 Albin Kurti shpall fitoren: Kjo është dekada e qeverisjes së Vetëvendosjes!
- 00:06 Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëron për përgjigje “shkatërruese” nëse Izraeli hakmerret
- 23:42 Lista Serbe thotë se fitoi 10 mandate dhe ngre akuza për manipulim
- 23:40 Abdixhiku: Qëndrimi ynë për presidentin nuk ndryshon