Shqiptarët dënohen në Britani për trafik kokaine, u zbuluan pas një hetimi të gjatë

27 Gusht 2025 | 20:49

Gjashtë shtetas shqiptarë janë dënuar me burgim nga autoritetet britanike, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një rrjet kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës në zonën e Swindon.

Të dënuarit janë identifikuar si Saimir Neziraj, Nertil Halili, Edmir Beqiri, Ergys Abdyli, Ardian Gjeta dhe Jorgo Brachousai.

Policia e Wiltshire bëri të ditur se zbardhja e këtij aktiviteti kriminal erdhi pas një hetimi gjashtëmujor të koduar “Operacioni Young”, në bashkëpunim me Njësinë për Krimet e Rënda dhe të Organizuar (SOCU). Gjatë hetimeve, u identifikuan lokacionet që grupi përdorte për të fshehur dhe shpërndarë lëndën narkotike.

Sipas hetimeve, Saimir Neziraj ishte drejtuesi i rrjetit. Ai menaxhonte një linjë furnizimi me kokainë të quajtur “Denzel”, e cila shërbente për përdoruesit e përhershëm në Swindon. Neziraj kishte nën kontroll procesin e furnizimit dhe pagesave, ndërsa Edmir Beqiri kujdesej për ruajtjen e drogës në një magazinë të posaçme. Për shpërndarjen në rrugë përdoreshin Ardian Gjeta dhe Jorgo Brachousai, të cilët e kryenin këtë detyrë çdo ditë.

Pista hetimore mori drejtim të qartë më 1 shkurt 2024, kur Neziraj u pa duke udhëtuar drejt Londrës. Aty ai u takua me Ergys Abdylin për të marrë një sasi kokaine, e cila më pas u transportua në Swindon dhe u depozitua nga Beqiri.

Ndërkohë, Nertil Halili, që vepronte nga Derbyshire, kishte rol kyç në operacion. Ai mbante në kontroll telefonin e linjës “Denzel” dhe koordinonte shpërndarjen e drogës në terren me ndihmën e Nezirajt.

Policia ka deklaruar se një nga momentet kyçe që i ndihmoi në grumbullimin e provave ishte një takim i zhvilluar në mars 2024 në West Bromwich, ku Halili i dorëzoi telefonin Nezirajt. Kjo ngjarje shërbeu si element i rëndësishëm në hetim.

Në vijim të kësaj ngjarjeje, oficerët nga policia e Wiltshire, Derbyshire dhe Metropolitan ndërmorën një seri kontrollesh të koordinuara në Swindon, Derby dhe në veri të Londrës, ku u kapën sasi të konsiderueshme droge dhe para të gatshme. Gjatë këtyre bastisjeve u arrestuan të gjithë të dyshuarit.

Të gjashtë të pandehurit e kanë pranuar fajësinë për akuzat e ngritura dhe janë dënuar si më poshtë:

  1. Saimir Neziraj, 32 vjeç – 8 vite burg
  2. Nertil Halili, 29 vjeç – 7 vite e 10 muaj
  3. Edmir Beqiri, 37 vjeç – 3 vite e 8 muaj
  4. Ergys Abdyli, 26 vjeç – 5 vite e 11 muaj
  5. Ardian Gjeta, 26 vjeç – 2 vite e 1 muaj
  6. Jorgo Brachousai, 24 vjeç – 16 muaj

Hetuesi DC Hunt nga SOCU theksoi se operacioni ka pasur ndikim real në dobësimin e shpërndarjes së kokainës në Swindon.

“Gjatë muajve të fundit kemi punuar intensivisht për të zbuluar dhe çmontuar këtë rrjet kriminal. Kokaina mbetet një rrezik i madh për shoqërinë dhe ky operacion ka kontribuar ndjeshëm në mbrojtjen e komuniteteve tona. Inkurajojmë qytetarët që të raportojnë çdo informacion të mundshëm lidhur me trafikimin e drogës”, tha Hunt në një deklaratë për shtyp.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjirokastër, zjarret e qëllimshme gjatë verës, problematikë për dëmet në pyje-kullota

Në Gjirokastër po regjistrohen rastet e para të zjarreve të verës në pyje dhe kullota. Vatrat e zjarreve kanë shkaktuar dëme kryesisht në sipërfaqet me...
08:46 | 28/06/2026

Fluks turistësh në Gjirokastër, kapacitetet akomoduese të pamjaftueshme

Në këtë sezon vere Gjirokastra po përballet më një rritje të ndjeshme të fluksit të turistëve ndërkohë që kapacitetet hoteliere janë të pamjaftueshme për akomodimin...
08:26 | 28/06/2026

Rama poston videon nga Banjat e Bënjës: U tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje, fitoi e vërteta

Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë ka reaguar sërish përmes një postimi në ‘Facebook’ lidhur me gjendjen e Banjave Termale të Bënjës në Përmet. Ai...
22:39 | 27/06/2026