English

McGonigal: Cilat janë marrëdhëniet e tij në Shqipëri?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Marrëveshjet e supozuara të paligjshme të Charles McGonigal në Shqipëri – dhe ato me një oligark rus famëkeq, të sanksionuar nga SHBA – e kanë vënë FBI-në në pikëpyetje politike.

- Advertisement -

Kështu nis artikulli i botuar së fundmi në The Washington Post, disa pjesë prej të cilit janë shkëputur më poshtë.

Alexandra Fokina sapo kishte përfunduar atë që ajo e konsideronte një ‘praktikë të ëndrrave’ në Nju Jork dhe ishte e emocionuar t’u tregonte miqve të saj gjithçka rreth saj.

“Isha përfshirë në çështje të çmendura, por jashtëzakonisht interesante dhe të vështira,” shkroi studentja ruse në faqen e saj në Facebook në fund të korrikut 2018.

“Përvoja e punës në fushën e anti-terrorizmit ishte diçka absolutisht e re dhe unike. Kjo përfshinte informatat, bisedat dhe sigurisht faqet e pafundme të analizave,” shton ajo.

Fokina, e cila tha se aspironte të punonte në Kombet e Bashkuara, mund të mos e kishte siguruar kurrë vendin e punës dhe atë që hetuesit në një aktakuzë të fundit që është quajtur “trajtim VIP”, pa ndihmën e një lidhjeje të nivelit të lartë me: Charles McGonigal, agjentin special të ngarkuar me kundërzbulimin për zyrën në terren të FBI-së në Nju Jork.

Në janar, McGonigal u padit me akuzat federale për pastrim parash, shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe dhënie të deklaratave të rreme. McGonigal ka deklaruar se është i pafajshëm dhe po gjykohet i lirë pas pagesës së garancisë.

Ai është një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së, i akuzuar ndonjëherë për vepra penale dhe rasti i tij ka shqetësuar thellësisht profesionistët e sigurisë kombëtare, duke pasur parasysh aksesin e jashtëzakonshëm që ai kishte në sekretet sensitive të qeverisë.

Një anëtar prej 22-vitesh FBI-së, McGonigal ishte gjuetari kryesor i spiunëve në një qytet plot me agjentë të huaj.

Më herët në vitin 2018, një bashkëpunëtor rus thuhet se i kërkoi McGonigal ta ndihmonte në sigurimin e një stazhi në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut për Fokina-n në emër të babait të saj, Yevgeny Fokin. Prokurorët vunë në dukje se Fokin ishte “përfolur në raportet e mediave publike se ishte një oficer i inteligjencës ruse”.

Fokin, i cili nuk përmendet në aktakuzë, por përputhet me përshkrimin e një figure të referuar si “Agjenti-1”, dyshohet se do të vazhdonte të punonte me McGonigal për të ndihmuar shefin e tij, Oleg Deripaska, një oligark famëkeq rus dhe aleat i Presidentit Vladimir Putin. Departamenti i Drejtësisë pretendon se pasi u tërhoq nga FBI në 2018 në moshën 50-vjeçare, McGonigal u pagua me dhjetëra mijëra dollarë për të ndihmuar në mënyrë të paligjshme në heqjen e sanksioneve të SHBA-së që ishin vendosur ndaj Deripaska-s në vitin 2018.

Që nga arrestimi i McGonigal, politikanët në të dy skajet e spektrit politik amerikan janë marrë me rastin e tij si provë të pikëpamjeve të tyre ekzistuese për FBI-në. Për disa, çështja McGonigal konfirmon se FBI-ja është pararojë e një shteti të thellë të korruptuar, një agjenci renegate që ish-presidenti Donald Trump prej vitesh ka thënë se do ta demaskonte.

Të tjerë shohin te McGonigal sugjerime të errëta të ndikimit rus në nivelet më të larta të qeverisë amerikane apo edhe një mjet të mundshëm të përdorur nga forcat e FBI-së për të ndihmuar në zgjedhjen e Trump si president në vitin 2016.

“Një ekzaminim më i thellë i aventurave të McGonigal zbulon një përrallë të egër, por pak përgjigje të qarta deri më tani”.

Ai nganjëherë duket se ka vepruar pro dhe kundër interesave ruse. Krimet e supozuara të McGonigal në fund të fundit mund të zbulojnë më shumë rreth konflikteve të interesit me të cilat përballen agjentët ndërsa kërkojnë të përfitojnë nga karriera e tyre qeveritare.

Marrëdhëniet në Shqipëri

Në kohën kur ai dyshohet se filloi të punonte për një rus, i cili në atë kohë po vuante sanksionet e SHBA-së, sipas aktakuzës, McGonigal ishte zhytur thellë tashmë në marrëdhënie të tjera sekrete me kryeministrin e Shqipërisë dhe një ish-operativ të inteligjencës shqiptare.

Marrëdhënia e McGonigal me Shqipërinë dyshohet se filloi ndërsa ai ende punonte për FBI-në, një pikë e veçantë shqetësimi për ish-kolegët e tij.

Prokurorët pretendojnë se deri në gusht 2017, McGonigal ishte lidhur me një burrë nga Nju Xhersi, i cili kishte lindur në Shqipëri dhe që disa dekada më parë kishte punuar për inteligjencën shqiptare.

Aktakuza nuk e përmend emrin e burrit, por përshkrimi përputhet me Agron Nezën, për të cilin të dhënat e korporatave shqiptare tregojnë se hyri në biznes me McGonigal në vitin 2019, pasi McGonigal u largua nga FBI. Neza nuk iu përgjigj disa mesazheve, por një botim i Euronews Albania tregon se Neza dha një deklaratë në të cilën ai e quajti McGonigal një mik dhe pranoi se i kishte dhënë para dhe i ishte bashkuar disa takimeve të tij me zyrtarë shqiptarë.

McGonigal i kërkoi Nezës para – dhe Neza pranoi, duke i premtuar se do ta paguante “pak nga pak”, sipas aktakuzës.

Më pas, të dy burrat udhëtuan së bashku drejt Shqipërisë në shtator 2017, ku u takuan me kryeministrin Edi Rama, thuhet më tej në aktakuzë. McGonigal, i cili ishte ende duke punuar për FBI-në në atë kohë, i dha kryeministrit suvenire dhe e paralajmëroi atë kundër dhënies së licencave fitimprurëse të shpimit për kompanitë e naftës që ishin fronte për interesat ruse. Ndërsa McGonigal dukej se po vepronte në rolin e tij si oficer kundërzbulimi kundër ndikimit rus, prokurorët pretendojnë se, në fakt, Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal, i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës, kishin interesat e tyre financiare në fushën e naftës.

Një piktor dhe ish-basketbollist, Rama ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013, duke udhëhequr një nga dy partitë politike mbizotëruese – dhe shpesh në konflikt – në vend. Vitet e fundit, ai ka paralajmëruar rritjen e ndikimit rus mbi kundërshtarët e tij politikë, gjë që ata e kanë mohuar. Ekspertët thanë se liderët e të dy partive përpiqen të ndërtojnë dhe forcojnë lidhje me figurat kryesore amerikane, duke e bërë një aleancë me një zyrtar të lartë të FBI-së një mjet potencialisht të dobishëm për Ramën për të ndërtuar popullaritetin e tij në vend.

Në kthimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, prokurorët pretendojnë se Neza i dha McGonigal-it $80,000 dollarë ndërsa të dy ishin ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Manhattan. Së shpejti, Neza i dha atij dy këste të tjera parash në shtëpinë e tij në Nju Xhersi, për një total prej $225,000 dollarësh – para që McGonigal i tregoi Nezës se do t’i paguante.

Para se të tërhiqeshin nga FBI në vitin 2018, akuza pretendon se McGonigal dhe Neza u takuan vazhdimisht me Ramën në Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëri, përfshirë një herë për darkë në Uashington në mars 2018, kur atyre iu bashkua një ish-agjent i FBI-së, i cili nuk është identifikuar.

Akuzat kundër McGonigal në Shqipëri në një farë mënyre e komplikojnë një narrativë të thjeshtë të një zyrtari të FBI-së të kthyer në agjent rus, të cilës disa i kanë mëshuar së shumti, sidomos kur nisën të shfaqen akuzat për punën e tij për Deripaskën.

McGonigal akuzohet se ka marrë para për të çuar përpara interesat e Ramës, ndërkohë që disa analistë perëndimorë po ngrenë shqetësime për interesat ruse duke u përpjekur të influencojnë kundërshtarët e kryeministrit.

Sipas aktakuzës, McGonigal inkurajoi FBI-në të hapte një hetim penal në vitin 2018 për një lobist amerikan që vepronte në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, opozita kryesore e Partisë Socialiste të Ramës. Një pjesë e informacioneve kundër lobistit, thonë prokurorët, kanë ardhur nga Neza dhe kanë origjinën në zyrën e Ramës.

Individi nuk përmendet në aktakuzë, por duket se përputhet me lobistin dhe ish-punonjësin republikan të Capitol Hill, Nick Muzin, i cili u vu nën vëzhgim në të njëjtën periudhë pasi një artikull i marsit 2018 në Mother Jones ngriti pyetje nëse tarifat e tij të këshillimit mund të ishin paguar nga një kompani që ishte një front për interesat ruse, duke nxitur një hetim në Shqipëri. Për këtë rast nuk u ngrit asnjë akuzë.

Në një email, Muzin tha: “Nuk kam asnjë arsye të besoj se kam qenë viktimë e këtij hetimi të rremë. Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”.

Alfred Lela, një zëdhënës i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e quajti pretendimin se McGonigal inkurajoi FBI-në të hapte një hetim penal ndaj një shtetasi amerikan, i cili po vepronte si lobist për partinë demokratike një nga “zbulimet më brutale”.

“Ju keni FBI-në, një degë e nderuar e zbatimit të ligjit të SHBA-së, e përdorur për të kryer veprat e pista të politikës shqiptare,” tha ai, duke shtuar se partia nuk është kontaktuar nga FBI-ja për këtë akuzë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×