Pas ndarjes nga jeta në moshën 88-vjeçare, Papa Françesku kujtohet jo vetëm si një lider shpirtëror i botës katolike, por edhe si një nga figurat që la gjurmë në historinë e Kishës përsa i përket artit dhe kulturës.
Gjatë pontifikatit të tij, ai hapi dyert për dialog mes fesë dhe artit bashkëkohor. Në vitin 2024, ai bëri histori si papa i parë që vizitoi Bienalen e Venecias, ekspozitën më prestigjioze të artit në botë.
Ai vizitoi pavijonin e ngritur brenda një burgu për gra në ishullin Giudecca, ku disa nga veprat ishin krijuar nga të burgosura.
Papa Françesku gjithashtu themeloi një galeri për artin bashkëkohor brenda Bibliotekës së Vatikanit, autorizoi rikthimin e skulpturave të Partenonit në Greqi dhe mbrojti vazhdimisht rëndësinë e artit.
“Bota ka nevojë për artistë”, deklaroi ai, duke përmendur emra si Frida Kahlo dhe Louise Bourgeois si shembuj të forcës shëruese të krijimtarisë.
Një nga momentet më të spikatura ishte në vitin 2023, kur ai mbështeti ekspozitën e parë në Mbretërinë e Bashkuar kushtuar Shën Françeskut të Asizit, duke përshëndetur figurën e tij si simbol i thjeshtësisë dhe pajtimit.
Megjithatë, trashëgimia e tij nuk ishte pa polemika. Në vitin 2024, një grup punonjësish të Muzeut të Vatikanit ngritën akuza për kushte të këqija pune dhe mungesë transparence, një çështje që mbetet ende e pazgjidhur.
Përkundër sfidave, Papa Françesku e afroi Vatikanin me botën bashkëkohore në mënyra që pak prej paraardhësve të tij kishin guxuar.
Françesku i shihte artistët, si arkitektë të një të ardhmeje më të mirë:
“Ju lutem, të dashur artistë, të imagjinoni qytete që nuk ekzistojnë ende në harta: qytete ku asnjë qenie njerëzore nuk konsiderohet si i huaj”.
Ai e vendosi artin në qendër të dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, duke e shndërruar atë në një forcë shoqërore, shpirtërore dhe morale.
LEXONI GJITHASHTU:
- Trupi i Papa Françeskut zhvendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit për homazhe
- Ambasada e Vatikanit në Tiranë hap librin e ngushëllimeve për Papa Françeskun