Siguria rrugore përballë mbijetesës, largohen tregtarët në aksin Korçë–Pogradec

30 Mars 2026 | 16:13

Aksioni për largimin e tregtarëve ambulantë në aksin Korçë–Pogradec i ka lënë dhjetëra familje pa të ardhura, ndërsa mungesa e një tregu funksional vijon të mbetet problem i pazgjidhur prej vitesh.

Nëpërmjet një aksioni të ndërmarrë ditët e fundit në juglindje të vendit, autoritetet kanë larguar tregtarët ambulantë që ushtronin aktivitetin e tyre përgjatë rrugës nacionale Korçë–Pogradec, duke argumentuar se prania e tyre përbën rrezik për aksidente rrugore dhe cenon sigurinë e qarkullimit.

Shumë prej këtyre tregtarëve janë fermerë të zonës, të cilët e sigurojnë jetesën nga shitja direkte e produkteve bujqësore. Muharrem Shkëmbi është një prej tyre dhe prej më shumë se një dekade shet prodhimet e tij buzë rrugës. Ai shprehet dakord me rregullat për distancimin nga aksi rrugor, por kundërshton ndalimin e shitjes edhe brenda pronës së tij.

“Po bëj 10 vite që shes këtu në truallin tim, në token time. Me këtë punë hamë 8 veta, djali me 4 fëmijë burrë grua e dy pleqtw. Me mallin që prodhojmë, atw rrojmë. Do i hedhim tani, pa bukë. Zgjidhja është të shes brenda rregullave, vetëm të shes. Ata thonë mos shit as në shtëpi. Hajde merre dhe shtëpinë e të dal në rrugë. Unë do shes e burg e gjobë, se e kam mallin tim. Nuk po shes drogë. Me leje, me licensw, me nipt. Bashkia erdhi dhe me thanw e ke fallco. Po mirw, paratë pse i paguaja kur ishte fallco?”, tha Muharrem Shkëmbi, shitës ambulant.

Ndërkohë, përpjekjet për të orientuar tregtarët drejt një hapësire të dedikuar për tregtim duket se hasin në pengesa të vjetra. Një treg i ndërtuar vite më parë në zonën e Bashkisë Maliq nuk ka funksionuar asnjëherë si i tillë dhe aktualisht përballet me probleme pronësie.

Pronarët e truallit thonë se objekti nuk është vënë asnjëherë realisht në funksion dhe se mungesa e bashkëpunimit institucional ka sjellë degradimin e tij ndër vite.

“Me qëllim për treg, nuk ka funksionuar asnjëherë. Sot 2026, ka 24 vite që ne jemi pronarë të tokës, jemi një grup. 20 vite pastaj nuk funksionon më kontrata. Kjo bëhet e përbashkët, nuk varet vetëm nga ne. Duhet të vihet në eficence. Nuk ka patur asnjë interes nga strukturat e tjera. Ne na intereson sepse realisht po humbasim shumë. Ne jemi dakord të vihet në eficence por nuk është vënë” theksoi Tefik Meçollari, pronar trualli.

Aktualisht, mbi 50 tregtarë ambulantë vijojnë të operojnë përgjatë aksit Korçë–Pogradec, në mungesë të një tregu të mirëorganizuar dhe funksional. Në këto kushte, fermerët shpesh detyrohen të hedhin prodhimet e pashitura ose t’i lënë të kalben, duke pësuar humbje të konsiderueshme ekonomike.

Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se tregtimi në anë të akseve nacionale përbën rrezik të lartë për aksidente, ndërsa zgjidhja afatgjatë mbetet krijimi i hapësirave të dedikuara dhe të standardizuara për tregtimin e produkteve bujqësore, në mënyrë që të balancohet siguria publike me nevojën për jetesë të fermerëve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e 57-të e protestës, qytetarët marshim në rrugët e Tiranës. Nesër mblidhen para Parlamentit (VIDEO)

Ka nisur marshimi i qytetarëve në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar rutinën e tyre teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 57-të....
21:52 | 26/07/2026

Gazetari Peçi: Rama ka lidhur ‘Besën’ me Berishën dhe Kodin zgjedhor

Gazetari, Ermal Peçi i ftuar këtë të diele në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka komentuar dokumentin “Besa” të kryeministrit Edi Rama...
21:36 | 26/07/2026

“Rama po na shet reflektim nëpërmjet ‘Besës'”, Karabina: Po përdor retorikën e njëjtë për votuesit

Pedagogia, Mirela Karabina e ftuar këtë të diele në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me dokumentin “Besa” të kryeministrit...
21:14 | 26/07/2026