Situata e zjarreve në monitorim: Vatrat e zjarrit janë aktive në 7 qarqe të vendit

9 Gusht 2025 | 09:39

Gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri janë evidentuar 18 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11, ndërsa 7 janë ende aktive. Forcat e emergjencës dhe ato të mbrojtjes civile janë angazhuar në terren për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Aktualisht, vatrat e zjarrit janë aktive në disa qarqe të vendit:

  • Qarku Vlorë
    Në fshatin Navaricë, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq, zjarri po mbahet nën monitorim gjatë natës së kaluar. Pavarësisht situatës problematike për shkak të erës, ditën e sotme janë angazhuar helikopterë të Forcës Ajrore për mbështetje në terren.

  • Qarku Fier
    Në fshatin Lofkënd, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, forcat në terren dhe mbështetja ajrore kanë bërë të mundur izolimin e vatrës së zjarrit në pjesën më të madhe të saj. Zjarri është ende aktiv vetëm në pjesët jugore dhe veriperëndimore. Puna për izolimin e mëtejshëm të zjarrit po vijon me mbështetje nga 25 efektivë të FA dhe forca të tjera nga strukturat e bashkisë.

  • Qarku Lezhë
    Në fshatin Malaj Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, zjarri vazhdon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore me pishë, lis dhe shkurre në një terren të vështirë. Dje operuan 33 forca operacionale nga strukturat vendore, ndërkohë që sot janë angazhuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura për të krijuar brezë ndarës dhe parandaluar përhapjen e zjarrit. Momentalisht, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

  • Qarku Dibër
    Në “Mali i Allushit”, fshati Plani Bardhë, bashkia Klos, zjarri i riaktivizuar ka qenë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje.

  • Qarku Elbasan
    Në fshatin Lleshaj, njësia administrative Poroçan, bashkia Gramsh, zjarri po mbahet nën monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për të parandaluar riaktivizime të mundshme.

  • Qarku Tiranë
    Në malin e Bërzhitës, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë, forcat e MZSH kanë arritur ta vënë nën kontroll vatrën e zjarrit, e cila është drejt izolimit. Zona është mbajtur në monitorim gjatë natës dhe puna për shuarjen përfundimtare vijon edhe sot.

  • Tepelenë
    Në mes të fshatrave Turan dhe Dukaj, Njësia Administrative Qendër, forcat janë angazhuar për shuarjen e zjarrit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka shpallur gatishmëri të plotë për koordinimin e forcave në terren dhe mbështetjen e strukturave për mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve. Situata është në monitorim të vazhdueshëm.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Fermerët e Korçës thirrje qeverisë: Na ndihmoni të sigurojmë prodhimet

Një nga problemet kryesore të “shtëpisë pa çati”, bujqësisë, në juglindje të vendit është prodhimi i cili dëmtohet për shkak të kushteve klimaterike, breshërit apo...
15:36 | 25/06/2026

Gazetari shqiptar në SHBA tregon historinë e Goxhajt në luftën e Kosovës: Dokumenti t’i nënshtrohet ekspertizës

I ftuar në një lidhje live nga SHBA për Now me Thimi Samarxhi, gazetari shqiptar Denion Ndrenika komentoi debatin e krijuar pas publikimit nga kryeministri...
15:19 | 25/06/2026

Rama shpall ‘non grata’ një nga protestueset nga Kosova, Ikballe Huduti

Ikballe Huduti këtë të enjte është shpallur person i padëshiruar në Shqipëri. Urdhri i ka shkuar policisë së shtetit për zbatim që kjo shtetase të...
14:45 | 25/06/2026